Princi Harry ka bërë një rrëfim personal për betejën me depresionin, stresin dhe dhimbjen që e ka shoqëruar që prej humbjes së nënës së tij, princeshës Diana. Në një video të publikuar për MasterClass, Duka i Sussex-it ka treguar se si ndryshoi gjendja e tij emocionale gjatë qëndrimit në Kanada, në prag të vendimit për t'u larguar nga detyrat mbretërore dhe për të nisur një jetë të re me Meghan Markle në Shtetet e Bashkuara.
Harry është rikthyer te fundi i vitit 2019, kur së bashku me Meghan dhe djalin e tyre Archie kaluan disa muaj në ishullin Vancouver, në Kanada. Largimi nga angazhimet mbretërore dhe presioni i vazhdueshëm ishte menduar si një periudhë qetësie, por princi thotë se shkëputja nga ambienti stresues shkaktoi një reagim të fortë fizik dhe emocional, të cilin nuk e kishte përjetuar më parë.
“Isha në Kanada, larg atij ambienti stresues ku, me sa duket, trupi im kishte qenë vazhdimisht i mbushur me adrenalinë. Brenda dy apo tri ditësh përjetova një rënie të fortë të saj. Ishte diçka që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë”, rrëfen Harry.
Sipas tij, qëndrimi në Kanada kishte si qëllim që të mund të “distancohej nga gjithçka” dhe të gjente kohë për “të menduar”. Megjithatë, ai kuptoi se ishte mësuar aq shumë me stresin, sa mungesa e tij po ndikonte në aftësinë për të përballuar edhe aktivitetet e përditshme.
“Ishte sikur të më duhej stresi për të prodhuar adrenalinën e nevojshme që truri im të funksiononte, sepse në shtëpi isha bërë i paaftë të bëja pothuajse çdo gjë. Rashë realisht në një depresion që zgjati rreth dy javë dhe kisha ndjesinë se nuk mund të funksionoja pa adrenalinë”, tregon Princi.
Në janar të vitit 2020, Harry dhe Meghan njoftuan publikisht vendimin për t'u tërhequr nga rolet e tyre si anëtarë të lartë të familjes mbretërore britanike. Më pas, ata u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara, duke u shkëputur nga jeta që kishin ndërtuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Rrëfimi është pjesë e një programi të ri të MasterClass, me titull Redefining Grief: Building Resilience Through Loss, ku Harry diskuton me neuroshkencëtaren Dr. Mary-Frances O’Connor për mënyrën se si humbja e një personi të dashur ndikon në tru, trup dhe shëndetin emocional. Programi është prezantuar në prag të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, më 10 tetor.
Përtej periudhës së largimit nga familja mbretërore, Harry është ndalur veçanërisht te vdekja e princeshës Diana në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 12 vjeç. Ai ka pranuar se për shumë vite nuk kishte arritur ta përpunonte dhimbjen e humbjes dhe se ishte përpjekur ta fshihte gjendjen e tij emocionale nga të tjerët.
“Për 15 apo 20 vjet, sa herë që dikush më pyeste: ‘A je mirë?’, unë përgjigjesha: ‘Jam mirë’. Isha në një gjendje mpirjeje, një lloj mbylljeje emocionale. Dhe pa e kuptuar, adrenalina ishte ajo që më shtynte përpara”, shprehet Harry.
Princi ka folur edhe në të kaluarën për ndikimin që humbja e nënës pati në fëmijërinë e tij. Në vitin 2024, gjatë një bisede me Nikki Scott, themeluese e organizatës bamirëse Scotty’s, ai kujtoi se në moshën 12-vjeçare e kishte lidhur dhimbjen me nevojën për të treguar dashurinë ndaj personit që kishte humbur.
“Kur je fëmijë është shumë e lehtë të mendosh ose ta bindësh veten... Nuk e di, unë isha 12 vjeç. E bind veten se personi që ke humbur ka nevojë që ti të jesh i trishtuar për sa më gjatë, për t’i treguar se të mungon”, rrëfen ai.
Harry thotë se, me kalimin e kohës ka ndryshuar mënyrën se si e sheh zinë, duke kuptuar se kujtimi i një personi të dashur nuk duhet të lidhet vetëm me trishtimin.
“Pastaj vjen ajo vetëdije: ‘Jo, ai person duhet të dëshironte që unë të isha i lumtur’”, vijon Princ Harry.
Në materialin e publikuar përmendet edhe një rikthim i Harry-t dhe Meghan-it në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me fëmijët Archie dhe Lilibet, megjithëse nuk janë sqaruar rrethanat dhe kohëzgjatja e qëndrimit të tyre. Harry ka qenë i përfshirë gjithashtu në angazhime publike në prag të Invictus Games, që do të zhvillohen në Londër në vitin 2027.
Në korrik, çifti vizitoi vendin ku prehet princesha Diana, në pronën e familjes Spencer në Althorp. Gjatë vizitës, Archie dhe Lilibet patën mundësinë të njiheshin me vendin ku ishte rritur gjyshja e tyre dhe ku ndodhet varri i saj.
Lini një Përgjigje