Bardhi dhe Balliu përjashtohen 60 ditë nga Kuvendi, Berisha: Rama është armik i parlamentarizmit, do marrim masat
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ashpër pas përjashtimit të deputetëve Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu për 60 ditë nga punimet e Kuvendit, duke e cilësuar vendimin si të paligjshëm dhe të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.
Gjatë një konference për mediat në selinë blu, Berisha pretendoi se masa ndaj dy deputetëve është marrë pa asnjë bazë ligjore. Ai akuzoi kryeministrin se po cenon parlamentarizmin, protestën dhe lirinë e fjalës.
“Sot Edi Rama urdhëroi, pa asnjë bazë ligjore, të përjashtojë kryetarin e grupit të Partisë Demokratike dhe nënkryetarin e komisionit të sigurisë, zotërinjtë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, dy muaj nga parlamenti”, deklaroi Berisha.
Kreu i demokratëve e cilësoi kryeministrin si “armik të egër të parlamentarizmit, të protestës dhe fjalës së lirë”, ndërsa vijoi akuzat ndaj tij, duke e quajtur “narko-diktator”. Berisha e dënoi vendimin për përjashtimin e dy deputetëve, duke e konsideruar atë “antiligjor, antikushtetues, kryekëput të pabazë”.
Ai bëri të ditur gjithashtu se grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet për të shqyrtuar qëndrimin dhe hapat që do të ndërmerren pas këtij vendimi.

