foto ilustruese
FUSHË-KRUJË- Një 16-vjeçar ka humbur jetën pas një incidenti me ashensorin në një restorant në Arrameras të Fushë-Krujës. Sipas bluve, 26-vjeçari Endri Stafuka, i cili punonte si kamerier në restorant, dyshohet se e ka shtyrë me duar 16-vjeçarin, gjithashtu kamerier, brenda ashensorit.
Si pasojë e shkëputjes së ashensorit, i mituri ka humbur jetën. Pas ngjarjes, policia arrestoi në flagrancë të riun, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”. Në pranga u vu edhe pronari i restorantit, shtetasi Afrim Vathi, 62 vjeç, i dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe fshehje të të ardhurave.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. S., 26 vjeç, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”;
-A. V., 62 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Arrestimet u kryen pasi dyshohet se më datë 11.10.2026, në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, në restorantin në pronësi të shtetasit A. V., shtetasi E. S., kamerier i lokalit, ka shtyrë me duar një 16-vjeçar (i punësuar kamerier në lokal), brenda në ashensor, dhe si pasojë e shkëputjes së ashensorit, 16-vjeçari ka humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Dosja.al