Enesi 16 vjeçar do të përcillët këtë të hënë për në banesën e fundit, mes dhimbjes së pamasë së familjes Isaku, miqve dhe shokëve të shumtë që janë të tronditur nga vdekja e parakohshme e tij. Ai punonte si kamarier në fundjavë dhe ndërroi jetë në vendin e punës.
Isaku, 16 vjeç dhe kamarieri tjetër Endri Stafuka 26 vjeç, kanë qenë duke luajtur në një nga katet e sipërme të lokalit të dasmave “AV Wedding Center“, kur Stafuka e ka shtyrë Isakun brenda në ashensor dhe ka shtypur katin 1.
Dy të rinjtë ishin duke bërë shaka që njëri të zbriste në katin e parë dhe tjetri të mbetej sipër. Por fatkeqësisht, ky moment loje mes dy kolegëve, është shndërruar në tragjedi.

Sapo dera është mbyllur me 16-vjeçarin që ndodhej brenda tij, kavoja është shkëputur dhe ashensori është përplasur në katin 0.
Si pasojë, kamarieri Enes Isaku ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Raportohet se nga shkëputja e menjëhershme e kavove të ashensorit, është rrezikuar dhe vetë kamarieri 26 vjeçar Endri Stafuka.
Ai është arrestuar nga shërbimet e Policisë dhe akuzohet për “Vrasje nga pakujdesia”.
Ndërkohë, rezulton se pak momente para tragjedisë që i mori jetën 16 vjeçarit Enes Isaku, me ashensor sapo ishte ngjitur deri në katin e sipërm vetë pronari Afrim Vathi. Kamarieri që humbi jetën, ishte nipi i tij.













