AKTUALITET, 12 October 2026, 12:53

Vizita/ 'Siguria mbetet shtylla kyçe', Hoxha me ministrin izraelit: Do ta forcojmë bashkëpunimin kibernetik me Izraelin

Vizita/ 'Siguria mbetet shtylla kyçe', Hoxha me ministrin

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, rikonfirmoi vullnetin e Shqipërisë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Izraelin. 

“Ky moment shënon pikën më të lartë të marrëdhënieve tona. Ai jo vetëm konfirmon miqësinë e kahershme mes dy vendeve tona, por dëshmon edhe për një partneritet në rritje, që po thellohet e forcohet më tej. Sot rikonfirmuam angazhimin tonë të palëkundur, si dhe vullnetin e përbashkët politik dhe dëshirën gjithnjë në rritje për ta forcuar më tej partneritetin tonë.
Sapo nënshkruam Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit. Kjo marrëveshje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona.

Ajo krijon një mekanizëm të strukturuar përmes të cilit vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë ekonominë dhe tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën. Ajo hap mundësi të reja për institucionet tona që të punojnë së bashku dhe të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët tanë.

Siguria mbetet një shtyllë kyçe e partneritetit tonë. Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare.

Në këtë drejtim, bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë kibernetike ka marrë një rëndësi të veçantë vitet e fundit. I jemi thellësisht mirënjohës Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të Iranit dhe grupeve të lidhura me të, në vitin 2022, kundër infrastrukturës sonë kryesore dixhitale. Që prej asaj kohe, kemi vijuar të investojmë në qëndrueshmërinë e infrastrukturës sonë dixhitale dhe do ta forcojmë më tej bashkëpunimin me Izraelin në këtë fushë jetike”, tha Hoxha.