“Do të rikthehen protestat e vitit 2009, kur e kemi përzënë policinë me gurë.” Ky ka qenë apeli i banorëve të Orikumit dhe Dukatit, të cilët kanë protestuar sot në zonën e plazhit të Orikumit, duke kundërshtuar ndërtimet që, sipas tyre, janë në pronat e tyre. Në qendër të konfliktit janë rreth 700 hektarë tokë në zonën bregdetare të Orikumit. Banorët pretendojnë se këto toka janë në pronësinë e tyre, të përfituara përmes ligjit 7501, ndërsa shprehen se persona të interesuar për të ndërtuar kanë mbërritur në zonë me pretendime mbi pronat.