Ka qëndruar për më shumë se 3 orë në SPAK, Mirlinda Karçanaj, ish drejtuesja e AKSHI-t e cila akuzohet se së bashku me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, në formën e grupit të strukturuar kriminalë kanë abuzuar me tenderat e AKSHI-t.
Sipas SPAK, Ermal Beqiri, Egys Agasi, së bashku me Mirlinda Karçanaj akuzohen për krijimin e një skeme për përfitimin e parave publike, përmes dyfishimit të vlerës së tenderëve, paracaktimit të fituesve dhe devijimit të miliona eurove drejt llogarive të një kompanie fiktive.
Sot është paraqitur për të dhënë sqarime lidhur me procedurat hetimore që janë parë me interes nga prokurorët që po hetojnë dosjen e saj ku ajo akuzohet për 'shkelje të barazisë në tendera' në formë të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë dhe pastrim parash.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që Karçanaj paraqitet në SPAK. Pesë ditë më parë ajo u paraqit për të zbatuar masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’
Karçanaj ndodhej në SPAK e shoqëruar nga avokatja e saj dhe është marrë në pyetje me kërkesë të prokurorit të dosjes, Bledar Maksuti.
Ende nuk dihen shumë detaje për qëndrimin 3 orë në SPAK të Karçanajt, nëse ka dinamikë të re hetimi apo zgjerim të hetimeve të dosjes së AKSHI-t.
Hetimet
Karçanaj po hetohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe veprimtari të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Hetimet e SPAK lidhen me disa procedura prokurimi me vlera miliona euro, ku dyshohet se kriteret e tenderave janë favorizuar për kompani të caktuara. SPAK caktoi 8 masa sigurie vitin e kaluar (dhjetor 2025), mes tyre edhe për Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin, teksa hetimet për këtë dosje, u zbardhën detaje të reja, ku zbuluan skandalin e përfshirjes së kreut të SHISH Vlora Hyseni që ndihmonte në arrati Ergys Agasin.
Po në kuadër të kësaj dosje, SPAK caktoi arrest në shtëpi për Hysenin dhe e pezulloi atë nga detyra, me akuzën e përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror, teksa u arrestua Embro Sulejmani, personi që i plotësonte nevojat Agasit në arrati dhe Fatjon Kalluçin me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, për zbulimin ndaj të tretëve të të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhëna sekrete.
Agasi do të arrestohej para Hysenit në shoqërinë e ish-drejtuesit të lartë të policisë Ulian Shpataraku, teksa hetimet janë duke vijuar, ku së fundmi po merren edhe dëshmi.
© SYRI.net