Ministri i Izraelit në Tiranë, Gideon Sa’ar: Rama një lideri i jashtëzakonshëm, ka admirimin tim

12 Tetor 2026 | 13:38

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Tiranës dhe qëndrimin kundër terrorizmit, antisemitizmit dhe Iranit.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, Sa’ar vlerësoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilësoi si një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botë.

“Shqipëria është një mike e vërtetë e Izraelit. Me zgjedhjet që do të zhvillohen në Izrael nuk është momenti më i lehtë për të udhëtuar, por ishte e rëndësishme të gjeja kohën për të vizituar Shqipërinë. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që bëri Shqipëria. Shohim sot të njëjtën qasje morale pas masakrës së 7 tetorit”, deklaroi Sa’ar.

Ai shprehu admirimin për kreun e qeverisë shqiptare, duke vlerësuar qëndrimin e tij ndaj Izraelit.

“Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Rama, që është, në këndvështrimin tim, një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botën e sotme. Udhëheqja e tij, bindja dhe busulla e palëkundur morale kanë vlerë përtej Ballkanit, përfshirë edhe rajonin tonë. Faleminderit për punën e pareshtur për ta çuar marrëdhënien tonë përpara”, tha ministri izraelit.

Sa’ar u ndal edhe te bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, duke përmendur rritjen e numrit të turistëve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

“Numri i vizitorëve izraelitë është rritur në 100 mijë, me shumë shpejtësi dhe në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse izraelitët ndihen të sigurt dhe të mirëpritur në Shqipëri. Potenciali për rritje është edhe më domethënës dhe, bazuar në atë që kemi parë, kur vjen turizmi, investimet ndjekin. Duam ta ruajmë këtë moment për të ndërtuar bashkëpunim në energjetikë, ujë, mbrojtje dhe inovacion. Falënderojmë Shqipërinë që qëndron kundër terrorizmit, antisemitizmit, për zërin e saj të qartë në…”, u shpreh ai.

Ministri izraelit kujtoi gjithashtu marrëveshjen dypalëshe për shëndetësinë, të nënshkruar një vit më parë, ndërsa bëri të ditur se palët synojnë ta zgjerojnë partneritetin me një marrëveshje më të gjerë.

“Sot do ta zgjerojmë këtë partneritet me një marrëveshje më të gjerë, duke krijuar mundësi për kompanitë tona dhe bashkëpunim më të thellë”, përfundoi Sa’ar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

BE do të kufizojë importet e automjeteve hibride kineze në 350,000 në vit

Komisioni Evropian ka konfirmuar se Bashkimi Evropian do të kufizojë numrin e automjeteve elektrike hibride të importuara nga Kina në 350,000 makina në vit. Importet...
13:32 | 12/10/2026

SHBA rishikon praninë ushtarake në Evropë, I dërguari i NATO-s: Nuk do të tërhiqemi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, ka riafirmuar angazhimin e Uashingtonit për mbrojtjen e Evropës, pavarësisht rishikimit në vazhdim të pranisë ushtarake...
13:28 | 12/10/2026

Zonat e prekura nga Çernobili në Bjellorusi s’do të konsiderohen më “të kontaminuara”

Për shumë bjellorusë që jetojnë në territoret e kontaminuara nga Çernobili, pasojat e aksidentit bërthamor të vitit 1986 do të marrin fund më 1 janar...
13:23 | 12/10/2026