Atentati i parandaluar në Lezhë, gjykata lë në burg 3 të arrestuarit, dyshohen edhe për eliminimin e "Tanit të Ruzhdiut"

Aktualitet

Atentati i parandaluar në Lezhë, gjykata lë në burg 3
Tre personat e arrestuar në Lezhë, të dyshuar se po përgatiteshin të kryenin një vrasje, do të qëndrojnë në burg. Kështu ka vendosur Gjykata e Lezhës.

Elden Tarja, Kristian Ymeri, i njohur me nofkën “Shkambi”, dhe Vinçens Piroli u njohën këtë të hënë me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës. Seanca gjyqësore e cila u zhvillua nën masa sigurie zgjati rreth 90 minuta. 

Në përfundim, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, si dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”. 

Policia beson se tre të arrestuarit janë përfshirë në tre ngjarje kriminale si vrasës me pagesë. Dyshohen se ata kanë ekzekutuar Artan Myrtajn në Sarandë, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”, si dhe janë përfshirë në dy vrasje të tjera, një në qarkun e Shkodrës dhe një në Mirditë. 

Vinçens Piroli, 38 vjeç, dyshohet të jetë ekzekutori kryesor në këto ngjarje. Piroli dhe Ymeri, 34 vjeç, u arrestuan teksa po lëviznin të armatosur dhe me skafandra në një motomjet të vjedhur në Suedi, ndërsa Tarja, 25 vjeç dyshohet se do t’i ndihmonte të largoheshin me automjet pas kryerjes së krimit. Gjatë operacionit u sekuestruan tri pistoleta, municion luftarak, motomjeti dhe automjeti tip “Volkswagen”.

ME TE LEXUARAT