Përgatitjet për emergjenca, Turqia nis planin për ndërtimin e strehimoreve në të 81 provincat

Bota

Përgatitjet për emergjenca, Turqia nis planin për ndërtimin
Turqia ka intensifikuar projektet për ndërtimin e strehimoreve në qytetet kryesore të vendit, në një kohë kur tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet e acaruara me Izraelin kanë shtuar shqetësimet për sigurinë. Projektet parashikojnë krijimin e hapësirave mbrojtëse për qytetarët në rast lufte, tërmetesh të mëdha apo fatkeqësish të tjera.

 Sipas raportimeve të mediave turke, ndërtimi i strehimoreve ka nisur në disa zona, ndërsa autoritetet synojnë që infrastruktura mbrojtëse të shtrihet në të 81 provincat e vendit. Televizionet turke po i lidhin këto zhvillime me situatën e tensionuar në rajon, veçanërisht me përplasjet mes Izraelit dhe aktorëve të tjerë në Lindjen e Mesme.

“Kjo është e nevojshme për fatkeqësi natyrore, luftëra dhe tërmete të mëdha”, deklaroi Emrullah Turanli, zëdhënës i një kompanie ndërtimi që po angazhohet në projekte të tilla.

Një kompleks ndërtimi në Stamboll, punimet për të cilin nisën rreth një vit më parë, përfshin një nga strehimoret më të mëdha të planifikuara në vend. Duke folur për projektin, Turanli u shpreh se ai po ndërtohet edhe për t’u përballur me kërcënime të mundshme nga jashtë.

Strehimore për dhjetëra mijëra persona

Portali turk *Turkish Century* raportoi se në vend kanë nisur ndërtimet e strehimoreve të mëdha, të projektuara për mbrojtje nga sulmet kimike, biologjike dhe bërthamore, me kapacitet për të strehuar dhjetëra mijëra njerëz.

“Jemi në unazën e zjarrit. Nuk e dimë çfarë mund të ndodhë”, deklaroi një prezantues i televizionit turk HaberTürk, duke iu referuar situatës së sigurisë në rajon.

Edhe gazeta turke *Sözcü*, sipas raportimeve të mediave greke, ka shkruar për përgatitjen e strehimoreve në 81 provincat e Turqisë, me synimin për të mbrojtur popullsinë në rast krizash apo fatkeqësish të mëdha natyrore.

Profesori universitar Erag Wucluer, në një prononcim për HaberTürk, përmendi tensionet me Izraelin dhe rreziqet e mundshme në rajonet e Mesdheut dhe Egjeut.

Erdogan e miratoi planin në vitin 2025

Sipas raportimeve, kuadri për ndërtimin e kësaj infrastrukture u miratua nga kabineti i drejtuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan në vitin 2025. Plani parashikon krijimin e hapësirave mbrojtëse në ndërtesa publike, objekte komunale, rezidenca, stadiume, parkingje dhe parqe publike.

Analistët turq vlerësojnë se, në kushtet e zhvillimeve të fundit gjeopolitike, projektet duhet të përshpejtohen, veçanërisht në provincat jugore, në Stamboll dhe në Ankara.

Megjithatë, ndërtimi i strehimoreve nuk lidhet vetëm me mundësinë e një konflikti të armatosur. Autoritetet i paraqesin ato edhe si masa për përballimin e tërmeteve dhe emergjencave të tjera, në një vend që përballet me rrezik të konsiderueshëm sizmik.

ME TE LEXUARAT