Lidhja Demokratike e Maqedonisë kërkon që institucionet të përcaktojnë menjëherë përgjegjësinë për arratisjen e Iva Mihailovës, të identifikojnë bashkëpunëtorët e mundshëm dhe të nisin procedura penale ndaj çdo personi që ka organizuar ose mundësuar largimin e saj.
Të lidhura
None found
Mihailova akuzohet për përfshirje në një aksident trafiku me pasoja fatale dhe, pas largimit, është bërë e paarritshme për organet e drejtësisë. Sipas LD-së, ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa persona të paprekshëm.
Partia kërkon nga Ministria e Brendshme, Drejtoria Doganore dhe Prokuroria Publike të sqarojnë mënyrën se si ajo ka dalë nga vendi, si dhe të hetojnë nëse zyrtarë të policisë apo të doganave kanë qenë të përfshirë ose kanë dështuar në përmbushjen e detyrës.
LD e konsideron veçanërisht shqetësues faktin që arratisja ndodhi pikërisht kur ishte pranuar mundësia që gjendja shëndetësore e Mihailovës të shqyrtohej nga mjekë bullgarë. Sipas tyre, kjo situatë ngre dyshime nëse largimi kishte për qëllim shmangien e një vlerësimi të pavarur mjekësor, i cili do të mund të sqaronte nëse gjendja e saj ishte realisht kërcënuese për jetën dhe nëse vendimet e mëparshme të gjykatës ishin të arsyeshme, deklarojnë nga LD./Telegrafi/







