Nisi të premten dhe duhet të përfundonte të dielën, por kampionati kombëtar i boksit në Tiranë nuk pati fitues. Kjo për shkak se finalet nuk u zhvilluan, pasi gjyqtarët nuk pranuan të arbitronin, pasi siç thonë janë kërcënuar.
Klubi i Vllaznisë, me anë të trajnerëve të tyre të udhëhequr nga Zef Gjoni, akuzojnë se në kryeqytet ka pasur sherre masive dhe se ka qenë klubi i Partizanit që ka shantazhuar arbitrat.
“E kam paralajmëruar që do ketë probleme në Tiranë. Boksieri i Partizanit, me trajnerin ka shkuar të gjyqtari dhe kanë goditur me shqelma. Bërtisnin si të çmendur. U futën në ring e goditën me karrige. Luftë …. Ne nuk lëvizëm, as polici as asgjë,”-u shpreh Zef Gjoni, trajner i Vllaznisë.
Sipas Gjonit këto episode nuk kanë ndodhur as në vitin e mbrapshtë 1997, ndërsa trajneri tjetër Lazarin Vila thotë se pjesë e manipulimit të kampionatit tentoi të bëhej edhe federata e boksit.
“Mbasi ndodhën gjithë këto probleme përfaqësuesit e federatës po kërkonin për të zhvilluar finalet. Në një kohë kur arbitrat kishin presion dhe thonin jo. Nisën të merrnin arbitra nga jashtë, të cilët kanë kohë që nuk merren me këto punë. Donin të paguanin 2 milionë lekë për arbitrat vetëm që të kryenim kampionatin. S’është profesionale,”-u shpreh Larazin Vila, trajner i Vllaznisë.
Të kontaktuar nga Report TV, drejtues të klubit të Partizanit, pretendojnë të kundërtën. Trajneri Eduart Dalipi thotë se ishin pikërisht trajnerët e klubit të Vllaznisë, që përmes kërcënimeve frikësuan gjyqtarët, të cilët më pas nuk pranuan të arbitronin ndeshjet finale, duke i braktisur ato. Madje sipas klubit Partizani ka pasur disa telefonata kërcënuese grupe kriminale, që frikësuan arbitrat.





Komente
Komento