Policia ka marrë në pyetje 23 persona në kuadër të hetimeve për vrasjen e Beqir Devollit, i cili humbi jetën dy ditë më parë në Gjirokastër. Hetuesit po verifikojnë të kaluarën e viktimës, marrëdhëniet e tij shoqërore dhe çdo konflikt të mundshëm që mund të ndihmojë në zbardhjen e motivit të atentatit. Mes personave të pyetur është edhe Erigers Mela, djali i ish-prokurorit të ndjerë Përparim Mela, me të cilin viktima kishte njohje shoqërore. Sipas burimeve, Mela ka deklaruar se nuk ka armiqësi me askënd, ndërsa ai dhe viktima njiheshin prej kohësh dhe përdornin shpesh edhe makinat e njëri-tjetrit. Në polici kanë dëshmuar edhe familjarët e viktimës, të cilët kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për konflikte apo armiqësi të tij. Sipas tyre, ai ishte vazhdimisht i shqetësuar, por këtë gjendje e lidhnin me papunësinë.