Eksperti Fidair Berisha: BE-ja duhet të reagojë ndaj kërcënimeve të Daçiqit dhe të kushtëzojë fondet për Serbinë

Deklarata e Ivica Daçiqit se flamuri serb do të valëvitet një ditë mbi Prizren ka rikthyer shqetësimet për synimet politike të Beogradit ndaj Kosovës. Përmendja e qytetit në këtë kontekst është vlerësuar si një mesazh nacionalist, që prek drejtpërdrejt sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Të lidhura

None found

Eksperti i sigurisë Fidair Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se deklarata e Daçiqit duhet parë si provokim dhe si shprehje e vazhdimit të politikës hegjemoniste serbe me pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Sipas Berishës, paralajmërime të tilla nuk duhet të neglizhohen, pasi historia ka dëshmuar se nacionalizmi dhe pretendimet territoriale mund të rrezikojnë paqen. Ai vlerëson se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë në kohë, me qëllim që të parandalohet çdo përshkallëzim i mundshëm.

Eksperti nënvizon se mungesa e një reagimi të qartë dhe e masave konkrete mund ta nxisë Beogradin të vijojë me retorikën kërcënuese ndaj Kosovës.

Image

Berisha kërkon që Bashkimi Evropian të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha palët dhe të mos tolerojë pretendime që cenojnë sigurinë apo sovranitetin e një shteti tjetër. Sipas tij, reagimet politike duhet të shoqërohen me hapa konkretë.

Ai propozon që ndihma financiare për Serbinë të lidhet me sjelljen e saj dhe respektimin e sovranitetit të Kosovës. Po ashtu, shtetet evropiane, sipas Berishës, duhet të mbështesin pezullimin e fondeve për Serbinë dhe të kërkojnë llogaridhënie nga Beogradi për deklaratat dhe veprimet që mund të dëmtojnë stabilitetin e rajonit.

“Kosova sot ka kapacitete më të mëdha për të mbrojtur sovranitetin”

Duke analizuar kapacitetet e sigurisë së Kosovës, Berisha thekson se Serbia duhet ta kuptojë se situata aktuale nuk është e njëjtë me atë të viteve 1998-1999. Institucionet e sigurisë së Kosovës, sipas tij, janë zhvilluar dhe kanë krijuar bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Ai shprehet se Kosova sot ka një arkitekturë sigurie shumë më të konsoliduar se në vitin 1998/1999 dhe se çdo kërcënim apo pretendim ndaj saj duhet të vlerësohet në dritën e realitetit të tanishëm.

Berisha shton se Kosova nuk ndodhet më në gjendjen e luftës së para gati tri dekadave, pasi tani disponon kapacitete më të mëdha për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Megjithatë, eksperti thekson se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse nuk duhet ta zbehë rëndësinë e paqes dhe stabilitetit. Për të, diplomacia dhe koordinimi me aleatët ndërkombëtarë mbeten elemente thelbësore për parandalimin e çdo përshkallëzimi të mundshëm.

“Paqja, diplomacia dhe bashkëpunimi me aleatët mbeten prioritet për sigurinë e vendit”, përfundon Berisha për “Bota sot”.


Shtuar më 12.10.2026 14:19