
“Pasqyra e Çmimeve” dhe nisma “Kurse”, e cila synon të rrisë transparencën në treg dhe t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve në rrjetet e supermarketeve në vend, janë prezantuar sot në prani të kryeministrit Edi Rama.
Në platformë janë pasqyruar çmimet e 238 produkteve në pesë rrjete supermarketesh: Big Market, Conad, Extramarket, Spar dhe Xhangolli, për një total prej 155 dyqanesh, nga të cilat 109 ndodhen në Tiranë.
Produktet janë ndarë në disa kategori, si ushqimet bazë, mishi dhe vezët, bulmeti, pula, produktet e mishit dhe nënproduktet e tij, frutat e perimet etj. Platforma u mundëson përdoruesve të renditin çmimet nga më i ulëti te më i larti, të shohin qytetin dhe dyqanin ku ofrohet produkti, si dhe të llogarisin kursimin në lekë krahasuar me çmimin fillestar.
Në rastet kur çmimi i kërkuar nuk gjendet ose ka pasaktësi, qytetarët mund të raportojnë problematikën për verifikim dhe përditësim të mëtejshëm të të dhënave.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se platforma mund të përdoret online nga qytetarët në të gjithë vendin, ndërsa në një fazë të mëvonshme pritet të vihet në dispozicion edhe një aplikacion, për ta bërë shërbimin më të aksesueshëm.
Nisma synon të rrisë transparencën e çmimeve dhe t’u japë konsumatorëve mundësinë të informohen për ofertat, në mënyrë që të zgjedhin dyqanet ku produktet kushtojnë më pak.
Sipas ministres Ibrahimaj, çmimet e pasqyruara duhet të jenë reale dhe përditësimi i saktë i tyre përbën përgjegjësi ligjore për tregtarët. Në rast shkeljesh, institucionet përgjegjëse do të ndjekin procedurat përkatëse, ndërsa shkeljet e legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit mund të ndëshkohen me gjoba.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi prezantimin e platformës si një objektiv të realizuar falë mirëkuptimit me pesë rrjetet e supermarketeve pjesëmarrëse. Ai theksoi se, në kushtet e rritjes së kostove në tregjet ndërkombëtare, është e nevojshme të gjenden mekanizma që mbrojnë konsumatorët, veçanërisht ata me mundësi më të kufizuara ekonomike.
Sipas Ramës, përmes marrëveshjes me pesë subjektet kryesore të tregtisë ushqimore në vend, është bërë i mundur publikimi i çmimeve për një sërë produktesh, të cilat do të mbahen në nivele të arsyeshme deri më 12 janar 2027.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se synimi është që deri në fund të vitit numri i produkteve të pasqyruara në platformë të arrijë në 1,000. Çmimet do të përditësohen nga vetë subjektet tregtare, duke u mundësuar qytetarëve të informohen në kohë reale dhe të krahasojnë ofertat përpara se të kryejnë blerjet.
Rama theksoi se spekulimi me çmimet, kur përbën shkelje të ligjit, parashikon masa ndëshkuese, përfshirë gjoba sipas legjislacionit në fuqi.
“Më vjen mirë që këtë objektiv të parë e realizuam me mirëkuptimin që gjetëm. Sot është një kohë kur duhet parë përtej fitimit ditor dhe respektit ndaj konsumatorit”, u shpreh Rama.
Rritja e kostove në tregjet e huaja ka sjellë nevojën për të ndërmarrë hapa përtej ndarjes tradicionale mes shitësit dhe blerësit, duke kërkuar zgjidhje edhe për qytetarët që kanë më pak mundësi ekonomike.
Falë pesë subjekteve të rëndësishme në tregtinë e ushqimeve në Shqipëri, jemi sot me këtë pasqyrë në dorë dhe me këtë marrëveshje për një sërë artikujsh me çmime të arsyeshme deri më 12 janar 2027, raoprton Monitor.al.
Nisma të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vende të tjera, ndërsa spekulimi me çmimet, kur përbën shkelje të ligjit, parashikon masa ndëshkuese, përfshirë gjoba”.
Përfaqësues të rrjetit të supermarketeve SPAR dhe Conad vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe sektorit privat, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë mund të kontribuojë në rritjen e transparencës në treg.
PASQYRA E ÇMIMEVE - KLIKO KËTU PËR TË PARË ÇMIMET E 238 PRODUKTEVE
