”Nuk jam njeri që më bëhet presion”, deputeti Sinaj tregon pse votoi PRO për Reformën Territoriale

Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka shpjeguar arsyet që e çuan të mbështeste me votë PRO Reformën e re Territoriale, ndonëse ishte pozicionuar kundër. Ai thotë se vendimi përfundimtar lidhej me respektimin e qëndrimit të shumicës së grupit dhe jo me ndonjë presion politik apo personal. Duke sqaruar mënyrën se si u mor vendimi, deputeti tha se brenda grupit parlamentar u zhvilluan dy votime, me qëndrime të ndryshme nga ana e tij. “Unë votova kundër reformës. Mbajta të njëjtin qëndrim, siç bëri dhe kolegu Braçe”, deklaroi Sinaj në ”News 24”, duke iu referuar votimit të parë.

Pas vendimit të grupit parlamentar për të mbështetur ndarjen e re territoriale, ai zgjodhi t’i bashkohej qëndrimit të shumicës. “Që nga ai moment, nuk kam folur më, i jam bindur grupit parlamentar”, u shpreh deputeti socialist, duke e cilësuar këtë veprim si respektim të disiplinës partiake. Sinaj argumentoi se përplasja e pikëpamjeve brenda një grupi politik është normale dhe se efektet e një reforme nuk mund të përcaktohen përfundimisht përpara se ajo të zbatohet. “Ti nuk mund të jesh i sigurt që ideja jote apo ato të qytetarëve janë ato që do t’i vërtetojë koha”, tha Sinaj, duke shpjeguar arsyen pse vendosi të mbështeste qëndrimin e grupit parlamentar.

I pyetur për mundësinë e presioneve që mund të kenë ndikuar në ndryshimin e votës së tij, deputeti i PS-së i hodhi poshtë këto pretendime. Ai mohoi gjithashtu që qëndrimi i tij të kishte lidhje me interesat e biznesit të tij. “Nuk ka pasur presion. Nuk jam njeri që më bëhet presion, as personalisht dhe as në asnjë fushë”, deklaroi ai. Sinaj tha se për këtë çështje ka dëgjuar edhe interpretime që e lidhin vendimin e tij me aktivitetin ekonomik, por këmbënguli se nuk ka pasur arsye për të vepruar nga frika. “Biznesi im është ndër më të rregulltit në këtë vend. Nuk kisha pse të kisha frikë dhe nuk kam pasur asnjë presion”, u shpreh deputeti.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai bëri të ditur se ka diskutuar për qëndrimin e tij me kryeministrin dhe drejtuesin e qarkut, biseda të cilat i përshkroi si konstruktive, duke theksuar se gjatë tyre ka paraqitur pikëpamjet e veta. Në përfundim, Sinaj la të hapur çështjen e efektivitetit të reformës territoriale, duke theksuar se rezultatet konkrete do të përcaktojnë nëse ajo do të përmbushë pritshmëritë. “Koha do ta tregojë nëse reforma do të sjellë përfitime për qytetarët”, përfundoi ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?