web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Fake news"-et që prodhohen për llogari të krimit

12 Tetor 2026, 14:44, Editorial CNA

"Fake news"-et që prodhohen për llogari të krimit

CNA ka raportuar prej ditësh atë që quhet skandali i “fake news”-eve, por edhe i gjobëvënies nga shumë portale apo individë që vallëzojnë ekraneve të medias, a thua se kanë informacione, i shesin ato njëherë, dy herë, me daljen dhe prezencën në ekran, më pas përdorin portalet e tyre për shpifje, shantazhe dhe për të vënë gjoba.

CNA ka sjellë disa raste dhe kemi intervistuar drejtues institucionesh, siç është Dhoma e Tregtisë, Instituti i Medias, AMA, Shoqatat e Gazetarëve, për të thënë a janë në dijeni këto institucione dhe çfarë pengon që të mos ketë një kod etike dhe një treg të rregulluar, që të mos lundrojmë në tregun e lajmeve të pavërteta, të “fake news”-eve dhe propagandës për gjobëvënie.

Por rast pas rasti, ditë pas dite, ne do të sjellim problematika që hasen nga gënjeshtrat që i hidhen publikut.

Për të mos u keqkuptuar gjithçka dhe për të mos u dukur personale, do të përpiqemi të ruajmë etikën, për të mos pasur të njëjtën gjuhë dhe raportim si në rastin e atyre që prodhojnë lajme të rreme apo përdorin portale për të vendosur gjoba.

Sot është shfaqur në televizionin “Syri”, një individ, i cili ka deklaruar për të disatën herë në media se është prokurori Altin Dumani, ai, i cili po pengon hetimin e çështjes së Ballukut.

Në fakt, duhet të shohim rrjedhën e ngjarjeve për të zbërthyer që kjo është një gënjeshtër, një mashtrim publik, i bërë për interesa të dikujt që, ndoshta, duke qenë se prokurorët e SPAK-ut apo të institucioneve të tjera të Juridiksionit të Përgjithshëm nuk merren me të tilla sulme banale që vijnë nga mediat, për t’i ndjekur penalisht, ka gjetur sheshin dhe bën përshesh.

Ky individ thotë se Altin Dumani na qenka takuar me Belinda Ballukun në vitin 2024 dhe e kanë mbyllur këtë muhabet. E di ky?

Në takim paska qenë vetëm Dumani me Ballukun dhe e ka marrë vesh ky që është mbyllur muhabeti, se kanë qenë në shtëpinë e vjehrrit të Dumanit. Edhe ky muhabet ka mbaruar tani.

Në fakt, edhe ne po përsërisim gënjeshtrën e këtij këtu, por shqiptarët duhet ta mësojnë të vërtetën.

Çështja e hetimeve ndaj zonjës Balluku ka filluar pikërisht në kohën kur drejtues i SPAK-ut ka qenë Altin Dumani, pra, në vitin 2024. Kur firmosi vetë fillimin e hetimeve, përse Dumani sot bllokon çështjen?

Përtej çdo gënjeshtre tjetër që mund t'i shtohet kësaj pyetjeje, është Altin Dumani, i cili ka firmosur kërkesën për heqjen e imunitetit të zonjës Balluku, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

 

Është ky prokuror, si drejtues i SPAK-ut, që ka hedhur firmën, duke kërkuar heqjen e imunitetit të zonjës Balluku, më pas detyrën e mori Klodjan Braho, i cili, si drejtues i institucionit, shkoi dhe u paraqit në Kuvend.

Tani, si janë takuar këta, kur Dumani i hap hetimet, i çon dosjen për heqje imuniteti?

Për çfarë janë takuar? Për budallallëqet apo gënjeshtrat që hedh dikush në rrjete apo media, dhe në mënyrë të papërgjegjshme, ose ndoshta me qëllime të tjera, krijon narrativa të llojit “ky ka takuar këtë, ky ka takuar atë se e di unë, ky i tha ashtu asaj, ata ishin të dy, është ky që e pengon që të bëhet hetimi”.

Por e vërteta është krejt ndryshe. Personi që akuzohet ka qenë njeriu që ka regjistruar procedimin penal, dhe së dyti, njeriu që ka kërkuar heqjen e imunitetit.

Le pastaj këto historitë me vjehrrin nëpër Tiranë, kur, në fakt, vjehrri mund të jetë përtej oqeanit. Këto janë tjetër histori pastaj, që shumë njerëz i dinë, por të tjerë i besojnë për shkak të mungesës së informacionit dhe shashkave që hidhen nga llumi mediatik për të krijuar një manipulim të opinionit publik.

Disa edhe me porositë e grupeve të ndryshme kriminale apo edhe të Ergys Agasit, sepse janë raste që kanë ndodhur dhe të ditura në qarqet mediatike.

Koha do t'i shoshitë këta lloj mashtruesish dhe gjobëvënës të njohur nga lexuesit nga "fake news"-et që prodhojnë duke hedhur shashkën e momentit për t'u faktorizuar në publik, pastaj për gjobëvënie, pastaj për qoka, por dhe për t'u degraduar më pas në sytë e opinionit publik./ CNA

 





Lajmet e fundit nga