Reali rinovon kontratën me portierin Courtois dhe për një tjetër sezon
Real Madrid është pranë rinovimit të kontratës me portierin Thibaut Courtois. Sipas gazetarit italian Fabrizio Romano, palët kanë arritur një marrëveshje verbale paraprake për zgjatjen e bashkëpunimit, duke konfirmuar dëshirën e klubit madrilen për të mbajtur në skuadër një nga lojtarët më të rëndësishëm të tij.
Kontrata aktuale e portierit belg me “Los Blancos” përfundon në qershor të vitit 2027, por pritet që marrëveshja e re të nënshkruhet në periudhën e ardhshme. Ky rinovim do të garantonte vazhdimësinë e Courtois në Madrid edhe gjatë sezonit 2027/2028.
34-vjeçari u transferua te Real Madrid në verën e vitit 2018 nga Chelsea dhe, që prej atëherë, është shndërruar në një prej shtyllave kryesore të skuadrës në repartin e portës. Me paraqitjet e tij, belgu ka fituar një rol të rëndësishëm në projektin sportiv të klubit madrilen.
Gjatë këtij sezoni, Courtois ka luajtur në nëntë ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanellën e Real Madridit, duke pësuar po aq gola.

