
Gjykata e Fierit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga burgu të Sokol Hoxhës, 51 vjeç, nga Patosi, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në Fier dhe të një vajze shqiptare në Belgjikë.
Vendimi është dhënë këtë të hënë, më 12 tetor 2026, nga gjyqtarja Aurora Tusha, e cila ka pranuar kërkesën e Hoxhës për konstatimin e parashkrimit të ekzekutimit të dënimit penal.
Në vendim thuhet se ka kaluar afati ligjor për ekzekutimin e dënimit prej 25 vitesh burgim, të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier më 19 maj 2000 dhe të lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë më 21 nëntor të po atij viti.
Hoxha u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth gjashtë muaj më parë, pas më shumë se 25 vitesh në arrati. Ai ishte dënuar në mungesë për krimet e kryera në Shqipëri, ndërsa për vrasjen e vajzës shqiptare në Belgjikë ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjatë seancës gjyqësore, avokatët Toto Avdiaj dhe Rozeta Plaku kërkuan pranimin e kërkesës, duke argumentuar se kishte përfunduar afati ligjor për ekzekutimin e dënimit.
Edhe prokurorja Malbora Dine kërkoi pranimin e kërkesës, me argumentin se kishte kaluar afati 20-vjeçar i parashkrimit dhe se ekzekutimi i dënimit nuk ishte bërë i mundur brenda këtij afati.
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Hoxhës nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale, me kusht që ai të mos mbahet në burg për ndonjë shkak tjetër ligjor.

