PD del kundër votimit elektronik për zgjedhjet lokale, Berisha: Teknologjia manipulohet
Partia Demokratike kundërshton kategorikisht votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa Partia Socialiste kërkon shtrirjen e kësaj teknologjie në më shumë bashki. Debati u rikthye pas thirrjes së kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, për konsultime me partitë politike mbi mënyrën e administrimit të procesit zgjedhor.
Teksa vendi po hyn në fazën e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të pranverës së vitit 2027, votimi dhe numërimi elektronik po shndërrohen në një nga çështjet kryesore të debatit politik. Ndërsa mazhoranca e konsideron teknologjinë një garanci shtesë për integritetin e votës, opozita shpreh rezerva të forta për sigurinë dhe transparencën e saj. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ftoi përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultues, ku në fokus ishte zgjerimi i përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, përfshirë votimin dhe numërimin elektronik.
Sali Berisha deklaroi këtë të hënë se PD nuk do të pranojë aplikimin e kësaj teknologjie në asnjë bashki, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e procesit. “Asnjë bashki nuk pranojmë ne numërim elektronik, në mënyrë të prerë. Partia Demokratike nuk pranon!”, u shpreh Berisha. Ai pretendoi se në proceset e mëparshme ka pasur manipulime dhe probleme teknike, duke ngritur akuza edhe për përfshirjen e Shërbimit Informativ Kombëtar.
“Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme. Në numërimin elektronik është implikuar direkt edhe Shërbimi Informativ Kombëtar, narko-shërbimi informativ tani”, deklaroi kreu i PD-së. Berisha pretendoi gjithashtu se janë krijuar servera paralelë dhe se procesi ka shfaqur problematika të mëdha, për të cilat, sipas tij, nuk mund të ketë më tolerancë. “Ne nuk pranojmë asgjë të manipulueshme më në procesin zgjedhor”, theksoi ai.
Partia Socialiste mban një qëndrim të kundërt dhe kërkon që votimi e numërimi elektronik të mos kufizohen vetëm në bashkitë ku u aplikuan në zgjedhjet e kaluara. Përfaqësuesja ligjore e PS-së në KQZ, Elena Xhina, bëri të ditur se shumica do t’i paraqesë Komisionit një propozim konkret për zgjerimin e përdorimit të votimit elektronik. Sipas saj, në ditët në vijim PS-ja do të dërgojë listën e bashkive ku sugjeron zbatimin e kësaj teknologjie, të cilën mazhoranca e konsideron një mekanizëm shtesë për mbrojtjen e votës.
Përplasja mes dy kampeve politike pritet të jetë pjesë e diskutimeve për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të cilat do të zhvillohen në pranverën e vitit 2027. Data e zgjedhjeve do të përcaktohet me dekret të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, pas konsultimeve me partitë politike dhe brenda afatit ligjor të 6 nëntorit.

