Katër shekuj historie të kthyera në hi, digjet plotësisht tregu më i vjetër i Parisit

Një zjarr i madh ka shkrumbuar plotësisht tregun historik Marché des Enfants Rouges në Paris, duke i dhënë fund katër shekujve histori. Flakët shpërthyen në orët e para të mëngjesit të së hënës, në distriktin e tretë të kryeqytetit francez, duke shkatërruar të gjithë strukturën e tregut të mbuluar, me një sipërfaqe prej rreth 1.000 metrash katrorë.
VIDEO- Zjarr në tregun historik Marché des Enfants Rouges në Paris
Sipas autoriteteve, zjarri nisi rreth orës 04:15 dhe mori përmasa të mëdha përpara mbërritjes së zjarrfikësve. Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan më shumë se 150 zjarrfikës dhe rreth 50 automjete. Si pasojë e zjarrit, të paktën dy të tretat e strukturës metalike të tregut u shembën. Kryetari i bashkisë së Parisit Qendror, Ariel Weil, konfirmoi se zjarri u vu nën kontroll, por tregu pësoi shkatërrim të plotë.
Pas shuarjes së flakëve, ekipet e zjarrfikësve nisën kontrollet e imtësishme në të gjithë zonën për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit. Ndërkohë, laboratori qendror i Drejtorisë së Policisë së Parisit mbërriti në vendngjarje për të mbledhur prova dhe për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili mbetet ende i paqartë. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën deri në përfundimin e operacioneve.
Marché des Enfants Rouges u krijua në vitin 1615, gjatë mbretërimit të Luigjit XIII, dhe konsiderohet tregu më i vjetër i Parisit. Emri i tij lidhet me një institucion jetimoreje pranë tregut, ku fëmijët mbanin rroba të kuqe, simbol i bamirësisë së krishterë. Gjatë historisë së tij, tregu kaloi periudha të ndryshme, ndërsa në vitin 1990 u mbyll, duke rrezikuar edhe shembjen, përpara se të restaurohej dhe të rifitonte rëndësinë e tij.
Me kalimin e viteve, tregu u shndërrua në një pikë të rëndësishme të jetës së përditshme pariziene, ku ndërthureshin kuzhina tradicionale franceze dhe gatime nga kultura të ndryshme. Përveç stendave me fruta e perime, aty u zhvilluan restorante dhe pika ushqimi që tërhiqnin banorë dhe turistë. Në vitin 1982, tregu ishte përfshirë në listën e monumenteve historike, duke u konsideruar pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit.
Shkatërrimi i Marché des Enfants Rouges përbën një humbje të rëndësishme për historinë dhe identitetin e Parisit. Për afro katër shekuj, ky treg kishte mbijetuar luftërave, ndryshimeve urbane dhe planeve për transformimin e tij, duke ruajtur funksionin si një vend ku njerëzit takoheshin dhe ushqeheshin. Tashmë, në vend të strukturës historike kanë mbetur vetëm gjurmët e zjarrit, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e tragjedisë.




