VLEN: Gjashtë policë të pezulluar, askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë

Pas dhunës brutale të ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji, gjashtë policë janë pezulluar. Institucionet reaguan në kohë rekord dhe ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore, kështu që rasti nuk mbeti pa përgjigje. Nga VLEN bëjnë të ditur sot se MPB-ja e ka kryer pjesën e saj të punës, ndërsa procedurat e mëtejshme i drejton Prokuroria.

Të lidhura

None found

Nga VLEN theksohet se në vendin tonë nuk duhet të ketë vend për dhunën policore. Uniforma ka për qëllim mbrojtjen e qytetarit, jo goditjen e tij. Asnjë dyshim ndaj një personi nuk e justifikon keqtrajtimin e tij.

Por, me daljen e pamjeve, opozita shqiptare u përpoq ta shndërronte dhunën ndaj dy të rinjve në përplasje politike. U shfaqën akuza, propagandë dhe orvatje për t’i dhënë këtij rasti ngjyrim etnik.

Fakti që gjashtë policë u pezulluan tregon se sistemi funksionon. Sipas VLEN-it, kjo është fitore e integritetit përballë manipulimeve dhe fitore e arsyes së shëndoshë ndaj orvatjeve për të nxitur tensione ndëretnike.

Prej atje, VLEN i drejtohet BDI-së duke i kujtuar se për njëzet vjet ju ishit në pushtet. Gjatë qeverisjes suaj ndodhën ngjarje makabre, shumë prej të cilave lidhen me veprimet e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Këto janë ngjarje që shqiptarët nuk i harrojnë.

“Sopoti” mbetet i paharruar, ku i latë njerëzit të kalben nëpër burgje. Nuk harrohet as djegia e dyqaneve shqiptare, ndërkohë që ju vazhdonit të rrinit si dekor në pushtet.

Nuk mund të harrohet as “Monstra”, as fyerja ndaj shqiptarëve me termin “indijanci”. Në kujtesë mbetet vdekja e Rexhail Qerimit në burg, si dhe vrasja e Harun Aliut. Po ashtu mbetet e paharruar vrasja e Xhemail Rexhepit (Komandant Shqiponjës). Për të gjitha këto raste, dhe shumë të tjera, çfarë bëtë ju? Asgjë. Heshtët!

Pavarësisht përpjekjeve tuaja për t’i fshirë me gomë nga kujtesa kolektive e shqiptarëve, nuk do t’ia arrini. Nuk do t’ia dilni, sepse shqiptarët ju kujtojnë shumë mirë. “Jeni parti me shumë mëkate, fund e krye”, përfundojnë nga VLEN./Telegrafi/


Shtuar më 12.10.2026 15:17

Tags: