Debati mes Edi Ramës dhe Erion Braçes për reformën territoriale nuk e dobësoi Partinë Socialiste, por i shërbeu asaj politikisht, duke zhvendosur vëmendjen e opinionit publik te përplasja brenda mazhorancës dhe duke lënë në hije opozitën dhe propozimin e saj për ndarjen territoriale. Kjo ishte analiza politike e juristit Kreshnik Spahiu në emisionin “Sot Live” në Report TV, ku u shpreh se Rama doli fitues nga kjo betejë, pasi jo vetëm siguroi miratimin e reformës territoriale, por arriti të rreshtonte edhe zërat kritikë brenda PS që të votonin pro reformës territoriale.
"Unë nuk e shoh si një lëvizje të re por vazhdimësi të qëndrimit të socialistëve dhe Erion Braces. Nuk është hera e parë që ai mban një qëndrim konsistent të zërit të tij kritik ndaj vendimmarrjeve shpesh herë të diskutueshme apo jo transparente të PS. Nuk është hera e parë që SP prodhon një opozitë brenda vetes duke eklipsuar çdo lloj oponence tjetër. Nëpërmjet debatit Brace-Rama, PS brenda 2 javësh apo 1 muaji arriti të zhvendosë vëmendjen e të gjithë opinionit publik. Të sondosh opinionin sot do të thotë se 90% e publikut nuk kanë dijeni për një alternativë tjetër sepse vëmëndjen e morën projektligji zyrtar dhe deputeti Brace. Prandaj, nuk mund të them që është e qëllimshme unë konsideroj që është në traditën e socialistëve që funksionojnë në këtë mënyrë. Në momentin që i gjithë opinoni publik mbarset se Partia Socialiste po thyhet ndodh gjithmonë e kundërta. E gjithë tifozeria u morën me formacionin e një ekipi. Askush nuk u mor me procedurën dhe ekipin tjetër dhe Rama doli fitues. Ai ishte shumë i qetë" tha Spahiu.
Braçe, i cili e kishte kundërshtuar publikisht hartën e re duke e cilësuar “vizatim territorial” dhe jo reformë, votoi në fund pro projektligjit, pasi Rama paralajmëroi në mbledhjen e grupit parlamentar se kush nuk e mbështeste reformën nuk mund të ishte pjesë e grupit socialist. Më pas, deputeti socialist sqaroi se votoi për të qëndruar në PS dhe për të vazhduar punën, ndërsa kritikoi mënyrën si ushtrohet disiplina në parti dhe i kërkoi kryeministrit të pranojë gabimet e tij.
Ndaj Spahiu nuk beson se deputeti socialist do të largohet nga PS apo do të krijojë një fraksion politik, duke insistuar se karriera e atyre që largohen nga PS merr fund.
“Me gjithë respektin, Braçe mbetet një individ që as nuk ka ide, apo dëshirën të shkëputet nga PS. Zërat e individëve të tillë nuk i tundin dot themelet e një partie të fuqishme si PS. Është iluzion të largohesh nga PS, se karriera jote merr fund”, tha ai.
Për këtë arsye, Spahiu mendon se mesazhi i koduar i Edi Ramës pas debatit për reformën territoriale nuk ishte i drejtuar vetëm Erion Braçes, por gjithë socialistëve që mund të kenë rezerva ndaj vendimmarrjeve të partisë.
"Braçe ka qene i njëjti në këto 30 vjet dhe mesazhi i Ramës nuk ishte për Braçen. Ata e kanë kuptuar se Braçe nuk shkon tek kundërshtari por tek ata të cilëet mund të lëvizin” tha Spahiu
Nw argumentat e tij, juristi veçoi edhe faktin qw Rama e përdori të gjithë procesin e miratimit të reformës territoriale edhe për të matur pulsin e faktorit ndërkombëtar.
"Në fund PS nuk fitoi vetëm reformën territoriale por përmes këtij projektligjit testoi opinionin ndërkombëtar, publik dhe demonstroi forcën si parti. Jo vetëm që i kaloi numrat dhe realizoi shumicën e cilësuar por edhe zërat kritikë i detyroi të ishin pjesë e votimit. Pra PS ecën me parimin e solidaritetit dhe elementi i dytë është se u testua opinioni ndërkombëtar. Ata asistuan të gjithë procesin e përgatitjes së projektligjit. Komisionin e përbashkët Boci-Mazniku e kemi parë në ccdo qytet të Shqipërisë. Pra u kujdesën që procesi të mos quhej vendimmarrje e shpejtë dhe faktori ndërkombëtar ishte pjesë e kësaj asistence. Ata spatën asnjë kontestim për projektligjin, numrin e zvogëluar të bashkive dhe për mos dhënien e konsensusit nga opozita" tha Spahiu.
Sipas Spahiut, ndarja e re territoriale do të ketë ndikim edhe në zgjedhjet vendore, pasi mazhoranca synon të sigurojë fitoren në 90% të bashkive.
“Ndarja territoriale është prognoza e rezultatit të zgjedhjeve lokale dhe atyre të 2029. Përmes ndarjes territoriale, mazhoranca ka prioritet për të fituar një numër të lartë bashkish. Është paravendosur rezultati i zgjedhjeve të majit 2027 dhe një parti e cila do të fitojë 90% të bashkive e ka më të thjeshtë për të menaxhuar qeverisjen e saj, e ka më të thjeshtë për të menaxhuar fushatën elektorale të 2029-ës. Unë kam bindjen që zgjedhjet lokale i paraprijnë fituesit të zgjedhjeve parlamentare, prandaj është e rëndësishme ndarja territoriale” tha Spahiu











Komente
Komento