Mickoski njofton nisjen e punimeve për autostradën Bukojçan – Kërçovë, një hap kyç drejt lidhjes Shkup – Ohër

Kryeministri Hristian Mickoski ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se ka nisur zyrtarisht ndërtimi i segmentit autostradal Bukojçan – Kërçovë, duke e cilësuar këtë projekt si një moment të rëndësishëm për arritjen e lidhjes së plotë mes Shkupit dhe Ohrit.

Të lidhura

None found

“Sot shënojmë fillimin e punimeve për aksin autostradal Bukojçan – Kërçovë, një tjetër projekt madhor infrastrukturor dhe një hap thelbësor drejt objektivit tonë të madh, lidhjes së plotë të Shkupit me Ohrin”, ka shkruar Mickoski.

Ai ka theksuar se me përfundimin e projekteve Kërçovë – Ohër, Gostivar – Bukojçan, Tetovë – Gostivar dhe Bukojçan – Kërçovë, do të krijohen kushtet për qarkullim më të shpejtë, rritje të sigurisë rrugore, tërheqje të investimeve të reja dhe një zhvillim ekonomik më të fuqishëm.

“Pas vitesh vonesa dhe mundësish të humbura, Maqedonia ka nevojë për vepra konkrete, jo për justifikime. Ndërsa opozita vijon me kritika të kota dhe përplasje politike, përgjigjja jonë janë projektet reale që do t’u shërbejnë qytetarëve dhe brezave që vijnë”, ka deklaruar kryeministri.

Mickoski ka nënvizuar se përparimi i vendit mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë.

“Veprat janë shenja jonë dalluese, ndërsa zhvillimi i Maqedonisë është detyrimi ynë. Maqedonia po ndërtohet, po lidhet dhe po ecën përpara”, ka përfunduar kryeministri Mickoski.


Shtuar më 12.10.2026 15:17