Përjashtimi i Bardhit dhe Balliut nga Kuvendi, reagon Tabaku: Shkeljet e deputetëve të mazhorancës janë toleruar, kjo arrogancë duhet ndëshkuar me votë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për përjashtimin e Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut nga me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, për shkak të hedhjes së ujit dhe vezëve në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe socialistëve gjatë votimit të Reformës Territoriale.

Tabaku se shkruan se ky është standard i dyfishtë i Kuvendit pasi sipas saj, shumë shkelje të deputetëve të mazhorancës janë toleruar në vend që të ndëshkoheshin.

Të lidhura

None found

Tabaku i bën thirrje qytetarëve që angazhohen fuqimisht për largimin e socialistëve nga pushteti për të rikthyer debatin dhe mendimin e lirë në institucionet e shtetit, përfshirë ato kyçe siç është Parlamenti.

Reagimi i plotë:

Shqipëria ka nevojë për një Parlament ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë. Sot, fatkeqësisht, ka një shumicë që i përdor ato sipas interesit: si mburojë për veten dhe si kamzhik ndaj opozitës.

Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu janë ndëshkuar me nga 60 ditë përjashtim. Ndërkohë, shkeljet e deputetëve të mazhorancës janë toleruar. Ky standard i dyfishtë e ka kthyer etikën parlamentare në instrument ndëshkimi politik.

Është i njëjti Parlament që sajoi procedura për të mbrojtur mandatin e ish-zëvendëskryeministres dhe që sot përdor çdo mjet për të goditur opozitën. Kur pushteti kërkon mbrojtje, rregullat përkulen. Kur opozita kërkon llogari, ndëshkimet rëndohen.

Arroganca e një qeverie të korruptuar, të kapur me duart në xhepat e shqiptarëve, ka gjetur strehë edhe në shtëpinë ku duhet të dëgjohet zëri i tyre. Parlamenti është kthyer në një hapësirë ku debati pengohet, qytetarët shpërfillen dhe kërkesës për llogaridhënie i përgjigjen me kërcënime e përjashtime.

Ndëshkimi i kolegëve është një tjetër shembull i turpshëm i këtij degradimi. Përjashtimi i deputetëve pengon përfaqësimin e qytetarëve që i kanë zgjedhur dhe dobëson kontrollin parlamentar mbi qeverinë.

Kjo arrogancë duhet ndëshkuar me votë. Largimi i kësaj shumice socialiste është rruga për t’i kthyer Parlamentit dinjitetin, debatit lirinë dhe qytetarëve një institucion që u shërben atyre, jo pushtetit dhe ligjeve me porosi.


Shtuar më 12.10.2026 15:24