AKTUALITET, 12 October 2026, 15:29

Pesticidet e ndaluara në treg, KLSH: U zgjatën afatet për dhjetë pesticide të ndaluara në BE, mungon kontrolli

Pesticidet e ndaluara në treg, KLSH: U zgjatën afatet për

Në Shqipëri përdoren pesticide të ndaluara, edhe atëherë kur Bashkimi Evropian (BE) kërkon ndalimin e disa lëndëve vepruese që shkaktojnë probleme serioze për shëndetin e njeriut.

Gjatë viteve 2022–2024, periudhë kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga Anila Denaj, sipas raportit përfundimtar të auditimit të KLSH-së, 10 pesticide të ndaluara u lejuan të shiteshin në farmacitë bujqësore.

Ministria e Bujqësisë nuk u kujdes që këto produkte për mbrojtjen e bimëve (PMB) të tërhiqeshin nga tregu përpara se të spërkateshin frutat dhe perimet.

Përkundrazi, ministria u dha shtatë bizneseve importuese të pesticideve mundësinë që këto produkte të shiteshin përtej afateve të përcaktuara nga Komisioni Evropian (KE).

Afatet për nxjerrjen jashtë qarkullimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve janë zgjatur përtej afateve të përcaktuara nga BE-ja. Sipas listave të PMB-ve të publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), në muajin maj rezulton pesticidi Spinetoram, me afat vlefshmërie deri më 30.06.2025, pra përtej afatit të përcaktuar në listën e PMB-ve të BE-së, i cili ishte 30.04.2024.

Në muajin korrik rezulton preparati bujqësor Dimethomorph, me afat vlefshmërie deri më 30.04.2025, ndërkohë që afati i përcaktuar në listën e PMB-ve të BE-së ishte 30.04.2024.

Ndërsa në dhjetor 2024 rezulton PMB-ja Metaflumizone, me afat vlefshmërie deri më 31.12.2025, ndonëse afati i përcaktuar në listën e PMB-ve të BE-së ishte 31.12.2024. Kjo PMB rezulton edhe në Listën nr. 1 të PMB-ve, të publikuar nga MBZHR-ja në muajin shkurt 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga MBZHR-ja, në muajin dhjetor 2023 rezulton PMB-ja Clofentezine, me afat vlefshmërie deri më 11.05.2024, ndërkohë që afati i përcaktuar në listën e PMB-ve të BE-së ishte deri më 11.11.2023.

Gjithashtu, KLSH-ja ka konstatuar se Ministria e Bujqësisë nuk ka një plan për menaxhimin dhe kontrollin e pesticideve të ndaluara. Kjo krijon hapësira për përdorimin e pakontrolluar të këtyre lëndëve të rrezikshme, të cilat tregtohen në interes të kompanive importuese.

Në listat nr. 2 të PMB-ve, që përfshijnë produktet e përjashtuara në BE, nuk është specifikuar se si do të realizohet ky proces, kush do të jetë përgjegjës dhe si do të monitorohet zbatimi i tij. Si rrjedhojë, respektimi i afateve të përcaktuara për çdo PMB të përjashtuar nga përdorimi në BE mbetet jashtë një kontrolli të qartë.

Pas këtyre gjetjeve, Ministria e Bujqësisë largon përgjegjësinë nga vetja.

Ministria argumenton se MBZHR-ja nuk është struktura përgjegjëse për menaxhimin e PMB-ve dhe se kjo detyrë u takon Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe autoriteteve të tjera.

Duke lejuar tregtimin e pesticideve të ndaluara përtej afateve të përcaktuara nga BE-ja, Ministria e Bujqësisë favorizon interesat ekonomike të bizneseve importuese, duke u shmangur atyre humbjet që mund të vinin nga tërheqja në kohë e produkteve nga tregu.

Ky qëndrim penalizon fermerët shqiptarë. Frutat dhe perimet e trajtuara me pesticide që lejohen të tregtohen në Shqipëri, por janë të ndaluara në BE, rrezikojnë të refuzohen dhe të asgjësohen në pikat doganore, duke u shkaktuar fermerëve dëm ekonomik.