Kinematografia ruan autonominë/ Drafti i rishikuar: 70% e buxhetit për filmin, detyrime për kinematë private

12/10/2026 15:29

Statusi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë nuk do të ndryshojë. Ky institucion do të ketë autonominë e vetë, sipas draftit të rishikuar për ligjin e kinematografisë.

Jonid Jorgji, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë tha: “Ka autonominë e vetë, gjithnjë e bashkërenduar me ministrinë përkatëse, por nuk ndryshon nga ai që është”.

Përmes një konference, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u shpreh se drafti i ri, u bë pas shqyrtimit të propozimeve të marra gjatë periudhës së konsultimit publik.

“Është një lloj demokratizimi i këtij institucioni, ku një pjesë e mirë e vendimmarrjeve, një pjesë e mirë e vlerësimeve, por edhe vetë monitorimeve brenda institucionit, të vijë jo vetëm nga institucione të tjera publike, por edhe nga vetë komuniteti”, shprehet Jorgji.

Drafti, që ende nuk është bërë publik parashikon që 70% e buxhetit të institucionit të qëndrojë për kinematografinë, për filmin autor, ndërsa 30% për audiovizualin, ku përfshihen serialet, videolojëra apo produketet imersive.

Drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë shtoi: “Të vendosen politikat e mirëpërcaktuara se ku do të kanalizohen këto buxhete, qoftë për filma të regjisorëve të rinj, qoftë për filma të regjisorëve më të afirmuar”.

Teksa kineastët shprehin vazhdimisht shqetësimin për mungesën e hapësirave për të shfaqur produktet e tyre, Jorgji tha se po punohet për rivitalizimin e shtatë kinemave publike në rrethe, ndërsa një detyrim do të lindë edhe për kinematë private: “Kinematë private do të kenë detyrimet e tyre sa i përket filmit shqiptar. De të ketë detyrime për të dhënë premierat shqiptare në ditë të caktuara në salla të caktuara”.

Drafti është rishikuar pas kritikave dhe debateve që krijoi projektligji i publikuar në maj të këtij viti për kinematografinë, ndërkohë që pritet të vijojë konsultimi me grupet e interesit.

Lira Pipa, zv/ministre e Turizmit, Kulturës dhe Sportit tha: “Ky draft do të jetë edhe për një prezantim publik, ku kushdo mund të shohë rekomandimet që janë reflektuar. Jemi në një porces konsultimi ndërinstitucional”.

Top Channel