Biblioteka Publike “Marin Barleti” në Shkodër do t’ia kushtojë të gjithë muajin tetor 115-vjetorit të lindjes së Migjenit, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Përmes një sërë veprimtarish letrare dhe kulturore, biblioteka synon të sjellë në vëmendje krijimtarinë dhe trashëgiminë e shkrimtarit shkodran.
Veprimtaritë kanë nisur me hapjen e një ekspozite, ku janë prezantuar vepra të Migjenit, si dhe botime e studime të ndryshme kushtuar jetës dhe krijimtarisë së tij. Ekspozita u jep mundësi lexuesve të njihen më nga afër me kontributin e autorit në letërsinë shqipe.
Programi do të vijojë përgjatë gjithë muajit tetor, duke përfshirë edhe klubin e librit “Bibliomania”, ku krijimtaria e Migjenit do të jetë në qendër të diskutimeve. Më shumë rreth kësaj nisme flet bibliotekistja Blerta Sinani.
Përmes këtyre veprimtarive, Biblioteka Publike “Marin Barleti” synon të nxisë interesin për leximin dhe njohjen e veprës së Migjenit, veçanërisht te brezat e rinj. Edhe 115 vite pas lindjes, krijimtaria e tij vijon të mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë letrare dhe kulturore shqiptare. A.K./TemA
Lini një Përgjigje