Ka zgjatur vetëm dy muaj puna e Migen Dukës si drejtues i Ujësjellës Kanalizime Durrës, pasi mësohet se sot Albi Lika ka marrë detyrën e Administratorit të Shoqërisë Rajonale UKD.
Burime për mediat bëjnë me dije se Lika u prezantua sot para stafit, në prezencë të drejtorit të përgjithshëm të AKUK, Fludian Çuka.
Vetëm dy muaj pas emërimit të Migen Dukës, sot u bënë sërish ndryshime në drejtimin e Ujësjellës Kanalizime Durrës, pasi karrigia e administratorit iu besua Albi Likës, inxhinier goxha i njohur i qytetit bregdetar.
Kush është Albi Lika:
Albi Lika është inxhinier elektrik, drejtues teknik dhe këshilltar teknik, me përvojë disa vjeçare në fushën e infrastrukturës elektrike, rrjeteve elektro-energjetike dhe administrimit të aktiviteteve të biznesit.
Nga tetori i vitit 2017 ai rezulton të jetë administrator dhe bashkëthemelues i kompanisë Electrical & IT Solution, që kryen punime civile dhe elektrike.
Përvoja e tij profesionale nisi në vitin 2008 si inxhinier elektrik pranë fabrikës së tullave KID-Alb në Maminas. Gjatë viteve 2010–2013 punoi si inxhinier elektrik pranë Autoritetit Portual Durrës.
Nga viti 2019-2026 ka qenë drejtues teknik pranë kompanive të ndryshme private që kanë pasur si detyrë mirëmbajtjen e rrjetit elektrik të Autoritetit Portual Durrës.
Gjithashtu, gjatë viteve të tij të karrierës, Lika është angazhuar dhe në projekte elektrike për objekte dhe infrastruktura të ndryshme në fushën elektrike. Në këtë drejtim ai është specializuar dhe me trajnime profesionale në Belgjikë për inxhinierinë portuale dhe stacionet e pompimit të ujit, si dhe me trajnimet e ABB-së për pajisjet e tensionit të ulët.
Albi Lika përfundoi studimet Bachelor gjatë periudhës 2005–2008 dhe më pas kreu Masterin Shkencor (2008–2010) në degën e Inxhinierisë Elektrike, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Politeknik të Tiranës. Lika po ashtu zotëron mjaft mirë mirë gjuhët angleze dhe italiane, si dhe njihet për aftësi të mira në komunikim.
