Albi Lika ka marrë detyrën e Administratorit të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës. Ai u prezantua gjatë ditës së sotme para stafit në prezencë të drejtorit të përgjithshëm të AKUK, Fludian Çuka. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Migen Dukën, i cili qëndroi në detyrë perreth 2 muaj.
Albi Lika vjen nga sektori i biznesit privat dhe e ka pranuar këtë detyrë si një sfidë personale dhe profesionale, me dëshirën për të vënë në shërbim të qytetarëve përvojën dhe njohuritë e tij në menaxhimin e një ndërmarrjeje me rëndësi të veçantë për jetën e përditshme të qytetarëve të Durrësit dhe rajonit, ku ofrohet shërbimi i ujësjellës-kanalizimeve.
Albi Lika është inxhinier elektrik, drejtues teknik dhe këshilltar teknik, me përvojë të konsoliduar në fushën e infrastrukturës elektrike, rrjeteve elektroenergjetike dhe administrimit të aktiviteteve të biznesit. Nga tetori i vitit 2017, ai është administrator dhe bashkëthemelues i kompanisë Electrical & IT Solution, e cila kryen punime civile dhe elektrike.
Përvoja e tij profesionale nisi në vitin 2008 si inxhinier elektrik pranë fabrikës së tullave KID-Alb në Maminas. Në periudhën 2010–2013 punoi si inxhinier elektrik pranë Autoritetit Portual Durrës. Nga viti 2019-2026 ka qenë drejtues teknik pranë kompanive të ndryshme private që kanë pasur si detyrë mirëmbajtjen e rrjetit elektrik të Autoritetit Portual Durrës, si një objekt i rëndësisë së veçantë.
Këto angazhime i kanë dhënë përvojë në mirëmbajtjen dhe menaxhimin e infrastrukturës elektrike dhe në koordinimin e punëve teknike. Gjatë karrierës ka qenë i përfshirë në projekte elektrike për objekte dhe infrastruktura të ndryshme në fushën elektrike. Formimin e tij e ka plotësuar me trajnime profesionale në Belgjikë për inxhinierinë portuale dhe stacionet e pompimit të ujit, si dhe me trajnimet e ABB-së për pajisjet e tensionit të ulët.
Albi Lika ka përfunduar studimet Bachelor (2005–2008) dhe Master Shkencor (2008–2010) në Inxhinieri Elektrike, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ai zotëron shumë mirë gjuhët angleze dhe italiane, ka aftësi të mira komunikimi dhe bashkëpunimi në grup.










Komente
Komento