Lajm i mirë për depozituesit, dyfishohet mbrojtja e kursimeve, deri në 6 milionë lekë të mbrojtura me ligj

Shuma e depozituar mund të jetë e madhe, por në rast falimenti apo heqje licence të bankës... të sigurta kemi deri 2.5 milionë lekë.
Artan Gjergji, ekspert i tregjeve të kapitalit thotë se: “Sigurimi i depozitave është një skemë e detyrueshme përmes së cilës mbrohen kursimet e qytetarëve në sistemin bankar. Çdo bankë kontribuon në këtë skemë, e cila aktivizohet në rast se një bankë falimenton ose i hiqet licenca dhe nuk është më në gjendje t’u kthejë paratë depozituesve, duke i kompensuar ata deri në kufirin e përcaktuar me ligj.”
Nga 1 korriku i vitit të ardhshëm, “sasia e garantuar e parave” do të rritet deri në 6 milionë lekë. Ndryshimet ligjore të hedhura për konsultim publik parashikojnë që kufiri maksimal i sigurimit të depozitave bankare në vend të zgjerohet në 100 mijë euro”.
“Rritja e tavanit të sigurimit të depozitave është një çështje që ka kohë që diskutohet dhe shihet si e nevojshme për t’iu përshtatur zhvillimeve ekonomike dhe vlerës së kursimeve që qytetarët mbajnë në banka. Me ndryshimet e propozuara, synohet që niveli i mbrojtjes të afrohet me standardet europiane, duke zgjeruar shumën që mund të përfitohet në rast të falimentimit të një institucioni bankar”, vijon Gjergji.
Ndryshime parashikohen edhe në procedurat e kompensimit të qytetarëve, në rast se një bankë ose shoqëri kursim-krediti nuk ka më aftësi paguese. Shlyerja e detyrimeve do duhet të bëhet brenda 14 ditëve punë, ndërsa pas anëtarësimit në BE në vetëm një javë.
“Për qytetarët, këto ndryshime nënkuptojnë më shumë siguri për paratë e depozituara, por edhe mundësinë për t’i rimarrë ato në një kohë më të shkurtër në rast të problemeve me bankën ku kanë kursimet. Përtej rritjes së shumës së garantuar, shkurtimi i afateve të kompensimit ndihmon në uljen e pasigurisë dhe në ruajtjen e besimit te sistemi bankar”, shprehet Artan Gjergji.
Bankat me rrezik më të lartë do të paguajnë më shumë para te Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Aktualisht, bankat paguajnë prime sigurimi të llogaritura mbi një bazë uniforme, pa marrë parasysh profilin individual të rrezikut.


