AKTUALITET /

FOTO/ "Mos lëviz, jemi policia"! Grabitje me armë në një banesë në Elbasan, 5 personat e maskuar vodhën para dhe 4 telefona

Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automjete të dyshuara se janë përdorur në ngjarje, si dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë.

Shkruar nga Versus

FOTO/ "Mos lëviz, jemi policia"! Grabitje me armë në

Një grabitje nën kërcënimin e armës së zjarrit është regjistruar në orët e para të mëngjesit në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Disa persona të paidentifikuar kanë hyrë në një banesë dhe kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash.

 Autorët, të veshur si policë, janë pikasur nga familjarët që ndodheshin në shtëpi çka i ka detyruar të largohen.

Pronari i shtëpisë Lorenc Zerellari tregon për mediat se ishin në gjumë kur personat e maskuar si efektivë policie hyn në banesë dhe i kërkuan paratë.

“Ishim duke fjetur gjumë. Të maskuar si policë më thanë mos lëviz ‘Policia’. Më pyeti ku i kisha lekët. E gjitha ngjarja zgjati për 15 minuta. Në shtëpi kishim 6 fëmijë, janë tramaksur. Nuk e di kush e ka bërë këtë gjë”, thotë ai.

Pas mbërritjes së shërbimeve të Policisë, autorët janë larguar drejt një zone kodrinore, duke përfituar nga errësira. Gjatë arratisjes, ata kanë braktisur automjetet me të cilat dyshohet se kanë lëvizur.

Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automjete të dyshuara se janë përdorur në ngjarje, si dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë. Janë sekuestruar edhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të rastit.

Policia vijon kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të grabitjes./Versus.al

Poll