Bardhi dhe Balliu përjashtohen me 60 ditë, Tabaku: Standard i dyfishtë i Parlamentit, duhet ndëshkuar me votë
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar për përjashtimin me 60 ditë të deputetëve Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu. Në një postim në rrjetet sociale, ajo akuzon mazhorancën për standard të dyfishtë në zbatimin e rregullave parlamentare. Tabaku thekson se arroganca e kësaj mazhorance duhet ndëshkuar me votë, për t’i kthyer Parlamentit dinjitetin, debatit lirinë dhe qytetarëve një institucion që u shërben atyre, jo pushtetit dhe ligjeve me porosi.
Postimi i plotë
Shqipëria ka nevojë për një Parlament ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë. Sot, fatkeqësisht, ka një shumicë që i përdor ato sipas interesit: si mburojë për veten dhe si kamzhik ndaj opozitës.
Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu janë ndëshkuar me nga 60 ditë përjashtim. Ndërkohë, shkeljet e deputetëve të mazhorancës janë toleruar. Ky standard i dyfishtë e ka kthyer etikën parlamentare në instrument ndëshkimi politik.
Është i njëjti Parlament që sajoi procedura për të mbrojtur mandatin e ish-zëvendëskryeministres dhe që sot përdor çdo mjet për të goditur opozitën. Kur pushteti kërkon mbrojtje, rregullat përkulen. Kur opozita kërkon llogari, ndëshkimet rëndohen.
Arroganca e një qeverie të korruptuar, të kapur me duart në xhepat e shqiptarëve, ka gjetur strehë edhe në shtëpinë ku duhet të dëgjohet zëri i tyre. Parlamenti është kthyer në një hapësirë ku debati pengohet, qytetarët shpërfillen dhe kërkesës për llogaridhënie i përgjigjen me kërcënime e përjashtime.
Ndëshkimi i kolegëve është një tjetër shembull i turpshëm i këtij degradimi. Përjashtimi i deputetëve pengon përfaqësimin e qytetarëve që i kanë zgjedhur dhe dobëson kontrollin parlamentar mbi qeverinë.
Kjo arrogancë duhet ndëshkuar me votë. Largimi i kësaj shumice socialiste është rruga për t’i kthyer Parlamentit dinjitetin, debatit lirinë dhe qytetarëve një institucion që u shërben atyre, jo pushtetit dhe ligjeve me porosi.

