Agjentët federalë kontrolluan të hënën në mëngjes banesën e kongresistes Ilhan Omar, në kuadër të një hetimi penal për mashtrim, sipas raportimeve të Associated Press dhe Fox News, të cilat iu referuan një deklarate të Departamentit të Drejtësisë.
Në një video të publikuar nga Fox News, shfaqen persona që duket se janë pjesë e forcave të rendit, të veshur me xhaketa me mbishkrimin HSI, në atë që televizioni e identifikoi si rezidenca e Omarit në Uashington DC.
“Sot, në zonën e Uashingtonit DC, Hetimet për Sigurinë Kombëtare (HSI) ekzekutuan një urdhër kontrolli të autorizuar nga gjykata dhe të siguruar nga Departamenti i Drejtësisë. Ky veprim është pjesë e një hetimi federal në vijim”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë për Fox News Digital.
Nuk ishte e qartë se çfarë lidhej konkretisht me urdhrin e kontrollit. Fox News raportoi, duke iu referuar burimeve anonime të njohura me çështjen, se agjentët po shqyrtonin dokumentet e emigracionit që babai i kongresistes kishte plotësuar kur ajo ishte fëmijë.
Donald Trump dhe aleatë të tij të rëndësishëm e kanë akuzuar Omarin se ka përfituar në mënyrë të paligjshme shtetësinë amerikane. Ata kanë folur hapur edhe për mundësinë e heqjes së shtetësisë së saj dhe dëbimit nga vendi.
Omar i ka mohuar vazhdimisht këto akuza. Megjithatë, Trump i ka rikthyer ato vazhdimisht në vëmendjen e publikut përmes sulmeve të përsëritura ndaj Omarit, e cila, së bashku me kongresisten Rashida Tlaib, u bë në vitin 2019 një nga dy gratë e para myslimane të zgjedhura në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.













