
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar kategorikisht propozimin për përdorimin e numërimit elektronik në katër bashki të vendit në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Gjatë një deklarate për mediat, kreu i PD-së tha se partia që ai drejton nuk do të pranojë zbatimin e këtij sistemi në asnjë bashki. Berisha pretendoi se numërimi elektronik është manipuluar në të kaluarën, ndërsa akuzoi Shërbimin Informativ Kombëtar për përfshirje në proces.
Sipas tij, gjatë proceseve të mëparshme janë krijuar servera paralelë dhe janë shfaqur probleme që, sipas pretendimeve të tij, vënë në pikëpyetje besueshmërinë e sistemit.
“Asnjë bashki nuk pranojmë ne numërim elektronik, në mënyrë të prerë. Partia Demokratike nuk pranon!”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se opozita nuk do të mbështesë përdorimin e mekanizmave që, sipas tij, mund të krijojnë mundësi për manipulimin e zgjedhjeve./Versus.al

