Deputeti socialist Vullnet Sinaj, ka folur për herë të parë për vendimin e tij që i befasoi të gjithë, duke dhënë votën e tij pro shkrirjes së bashkisë Selenicë me Vlorën, me synim reduktimin e bashkive në vend. Në intervistën e dhënë sot për “News24”, Sinaj u shpreh se ai ndryshoi qëndrim në momentin e fundit vetëm që opozita të mos i gëzohej përçarjes që mund të krijohej brenda mazhorancës, në kuadër të “Territoriales”.
“Dukej sikur PD po priste të krijonte një përçarje brenda PS-së, por kjo nuk ka ndodhur dhe s’ka për të ndodhur. Mund të kemi mendime të ndryshme brenda nesh dhe i trajtojmë ato në grupin parlamentar. Në fund, votojmë siç është vendimi i grupit parlamentar që merret me votë.”, tha Sinaj.
Më tej, Sinaj shtoi se nëse do të ishte deputet i pavarur në Kuvend ai do të mbante qëndrimin e tij fillestar për shkrirjen e bashkive, duke votuar kundër Reformës territoriale.
“Nëse do të isha deputet i pavarur në Parlament, edhe mund ta kisha votuar kundër atë reformë.”, shtoi më tej deputeti socialist.
Kujtojmë se Sinaj bashkë me Erion Braçen, ishte i dyti që ende nuk kishte vendosur dhe mund t'i prishte punë Partisë Socialiste, sepse më herët e larguara Marjana Koçeku ka thënë se edhe ajo do të votojë kundër reformës.
Mirëpo deputeti ndryshoi qëndrimin e tij, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që u mbajt para se të zhvillohej seanca plenare, ku më 8 tetor në Kuvend, me votat e socialistëve u miratua shkrirja e 15 bashkive.
Në mesnatën e 8 dhe 9 tetorit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi propozimin e socialistëve duke shkrirë kështu 15 bahski në mbarë vendin.
Konkretisht, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosit me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën. Në qarkun e Beratit, Dimali dhe Poliçani bashkohen me Beratin, ndërsa në qarkun e Fierit, Patosi bashkohet me Fierin dhe Divjaka me Lushnjën.
Në jug të vendit, Selenica bashkohet me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Në qarkun e Korçës, Maliqi bashkohet me Korçën, ndërsa në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi bashkohen me Elbasanin dhe Përrenjasi me Librazhdin.
