Sadushi pret ambasadoren e Holandës, ulja e stokut të dosjeve dhe diskutime për ecurinë e reformës në drejtësi
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, zhvilloi një takim me ambasadoren e re të Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, ku u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi, rezultatet e arritura nga Gjykata e Lartë dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë takimit, ambasadorja Monster vlerësoi përparimin e institucioneve shqiptare të drejtësisë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Holandës për të vijuar mbështetjen në këtë drejtim. Ajo u ndal veçanërisht te bashkëpunimi me Gjykatën e Lartë të Holandës, duke vlerësuar kontributin e aktiviteteve të përbashkëta në shkëmbimin e eksperiencave dhe rritjen e kapaciteteve institucionale.
Nga ana e tij, Sadushi theksoi se Gjykata e Lartë ka shënuar përmirësime të rëndësishme gjatë viteve të fundit, pavarësisht sfidave që vijojnë të mbeten të pranishme në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, rezultatet e arritura dëshmojnë një proces të qëndrueshëm transformimi dhe konsolidimi institucional.
Një prej prioriteteve kryesore mbetet ruajtja e rezultateve të arritura në uljen e stokut të çështjeve të prapambetura, një tregues i rëndësishëm i performancës së Gjykatës së Lartë, i cili ka marrë vlerësime edhe në nivel politikëbërës. Sadushi nënvizoi se vijimi i këtij procesi është thelbësor për forcimin e mëtejshëm të institucionit dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Takimi u përmbyll me angazhimin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin institucional mes Shqipërisë dhe Holandës, me synim mbështetjen e reformave në drejtësi dhe konsolidimin e mëtejshëm të rezultateve të arritura.

