Spahiu: Rama doli më i fortë politikisht nga përplasja me Braçen, PS synon 90% të bashkive

Juristi Kreshnik Spahiu vlerëson se debati mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit socialist Erion Braçe për Reformën Territoriale që u votua me 85 vota në Kuvend, nuk e dobësoi PS-së, por i shërbeu politikisht mazhorancës, duke zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga opozita dhe propozimi i saj për ndarjen e re territoriale. Spahiu u shpreh se Rama doli fitues nga kjo përplasje, pasi arriti të sigurojë miratimin e reformës dhe të rreshtojë pro saj edhe zërat kritikë brenda PS-së.

Sipas juristit, debati i brendshëm i socialistëve eklipsoi alternativën e opozitës dhe e vendosi mazhorancën në qendër të vëmendjes publike. “Përmes debatit Braçe-Rama, PS brenda dy javësh apo një muaji arriti të zhvendosë vëmendjen e të gjithë opinionit publik”, deklaroi Spahiu në ”Report TV”, duke theksuar se kjo përplasje nuk përbën një zhvillim të ri, por vazhdimësi të qëndrimeve kritike të Braçes ndaj vendimmarrjeve të partisë.

Braçe e kishte kundërshtuar publikisht hartën e re territoriale, duke e cilësuar atë si “vizatim territorial” dhe jo reformë. Pas votimit, Braçe shpjegoi se vendimi i tij lidhej me dëshirën për të qëndruar në PS dhe për të vijuar punën politike, ndërsa kritikoi mënyrën se si zbatohet disiplina brenda partisë. Për Spahiun, ky qëndrim nuk sinjalizon një ndarje të mundshme të socialistëve. Ai nuk beson se Braçe do të largohet nga PS apo do të krijojë një fraksion politik. “Është iluzion të largohesh nga PS, se karriera jote merr fund”, u shpreh juristi, duke shtuar se mesazhi i Ramës nuk i drejtohej vetëm Braçes, por edhe socialistëve të tjerë që mund të kenë rezerva ndaj vendimmarrjeve të drejtuesve të partisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër element që Spahiu veçoi ishte roli i faktorit ndërkombëtar në procesin e reformës territoriale. Sipas tij, mazhoranca shfrytëzoi procesin jo vetëm për të miratuar projektligjin, por edhe për të testuar reagimin ndërkombëtar dhe për të demonstruar forcën e saj politike. “PS nuk fitoi vetëm reformën territoriale, por përmes këtij projektligji testoi opinionin ndërkombëtar, publik dhe demonstroi forcën si parti”, deklaroi Spahiu.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në analizën e tij, reforma territoriale lidhet drejtpërdrejt edhe me objektivat elektorale të Partisë Socialiste. Juristi argumentoi se ndarja e re e bashkive mund të ndikojë në zgjedhjet vendore të majit 2027 dhe në përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2029. “Ndarja territoriale është prognoza e rezultatit të zgjedhjeve lokale dhe atyre të 2029”, tha Spahiu, duke pretenduar se mazhoranca synon të sigurojë fitoren në deri në 90% të bashkive. Sipas tij, kontrolli mbi një numër të madh njësish vendore do t’ia lehtësonte PS-së menaxhimin e pushtetit dhe organizimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?