
Incidentet e regjistruara para dhe gjatë derbit Partizani-Tirana kanë çuar në procedimin penal të tre personave, ndërsa një 19-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia.
Sipas njoftimit zyrtar, një 25-vjeçar është proceduar penalisht pasi është konfliktuar me një 19-vjeçar pranë stadiumit “Air Albania”, para nisjes së ndeshjes.
Ndërkohë, dy të mitur janë proceduar pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën kapsolla dhe flakadanë, të cilat u sekuestruan nga Policia.
Në kërkim është shpallur edhe një 19-vjeçar, i dyshuar se ka hedhur një kapsollë në fushën e lojës gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Derbi mes dy skuadrave të kryeqytetit u shoqërua me tensione dhe incidente mes tifozëve, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e Policisë.
Materialet procedurale për rastet e konstatuara i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

