Aktualitet

Prezantohet “Pasqyra e Çmimeve”, Rama: Mbi 200 artikuj pjesë e listës, çmimet nuk ndryshojnë për 3 muaj

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, që synojnë lehtësimin e shpenzimeve të përditshme për familjet shqiptare përmes bashkëpunimit mes qeverisë, supermarketeve dhe furnitorëve.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se marrëveshja me pesë subjekte të rëndësishme të tregtimit të ushqimeve parashikon çmime të arsyeshme dhe të pandryshueshme për një sërë produktesh deri më 12 janar të vitit të ardhshëm. Sipas kryeministrit, nisma vjen në një kohë kur rritja e kostove po prek konsumatorët në mbarë botën.

Ai bëri të ditur se aktualisht janë mbi 200 artikuj pjesë e kësaj nisme, ndërsa synimi është që numri i tyre të arrijë në 1000 deri në fund të vitit. Rama u shpreh se procesi do të zgjerohet edhe me subjekte më të vogla dhe pika të shitjes me pakicë, për të përfshirë sa më shumë aktorë të tregut.

Kreu i qeverisë theksoi se synimi nuk është vendosja e çmimeve nga shteti, por nxitja e konkurrencës së lirë, transparencës dhe bashkëpunimit në mbrojtje të konsumatorëve.

“Së pari dua të them që më vjen shumë mirë që e realizuam këtë objektiv të parë pa pasur nevojë për asgjë më shumë sesa mirëkuptim dhe e gjetëm mirëkuptimin duke rënë dakord se në fund të ditës, sot është një kohë kur duhet parë përtej fitimit ditor dhe kur respekti për qytetarin, respekti për konsumatorin materializohet edhe në formën e vetëdijes, në kushtet e një presioni të përgjithshëm mbi ekonominë që nuk ka të bëjë fare me arsye të brendshme, por që ka përfshirë botën mbarë, në kushtet e rritjes së kostove që në tërësi që janë një karakteristikë e të gjitha vendeve duhet bërë një hap përtej asaj vije tradicionale ndarëse mes atij që shet dhe atij që blen dhe duhet gjetur një rrugë për të ofruar një mundësi më shumë për njerëzit që kanë më shumë vështirësi.

Sot, pikërisht falë këtij mirëkuptimi dhe ndërveprimit të këtyre pesë subjekteve të rëndësishme në tregtinë e ushqimeve në Shqipëri, jemi praktikisht me këtë pasqyrë në dorë, Pasqyrën e Çmimeve dhe me këtë marrëveshje për një sërë artikujsh, të cilët do të kenë një çmim të arsyeshëm dhe të palëvizshëm deri në 12 janar të vitit të ardhshëm.

Në këtë periudhë, që siç thashë karakterizohet nga një presion i përgjithshëm mbi ekonomitë e të gjitha vendeve dhe ku e tha dhe ministrja, vende të ndryshme që ne i kemi studiuar me kujdes, kanë marrë nisma të ngjashme dhe nëse e kanë gjetur fjalën qeveritë e atyre vendeve me tregtarët në ato vende, nuk ka asnjë arsye që të mos e gjejmë fjalën edhe ne mes nesh dhe dua t’i falenderoj subjektet, dua të falenderoj përfaqësuesit e tyre, dua të falenderoj ata që janë këtu bashkë me ne, sepse kanë qenë zëdhënësit, zëdhënëset e këtyre subjekteve për këtë arritje jo të vogël.

Natyrisht që ky nuk është fundi, është fillimi i një procesi ku ne duam të përfshijmë gjithnjë e më shumë subjekte, duke pasur parasysh këtu edhe subjektet më të vogla, edhe pikat e shitjes të pakicës, të cilat janë pika ku siç e tha ministrja, shpeshherë ndodh që çmimet lëvizin në mënyrë të paligjshme dhe për këtë arsye ligji parashikon edhe gjobë në rast se ato çmime janë spekulim, por përsëri përpjekja jonë, thirrja jonë do të jetë në mënyrë të vazhdueshme mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirja në këtë nisëm.

Nga ana tjetër, sot janë mbi 200 artikuj që janë pjesë e kësaj pasqyre. Synimi është që deri në fund të vitit ato të jenë 1.000 dhe kështu të gjithë pa përjashtim të kenë një pamje shumë të qartë të situatës së çmimeve në mënyrë të përditshme.

Subjektet nga ana e tyre përditësojnë çmimet në pasqyrë dhe qytetarët nga ana e tyre njihen në mënyrë konstante në kohë reale se në cilin nivel janë çmimet dhe si variojnë ato nga një subjekt tek tjetri brenda marzhit të diskrecionit që çdo subjekt ka në kushtet e ekonomisë së tregut.

Ka shpeshherë thirrje ndaj nesh që të vendosim çmime. Këtë e kemi të pamundur ta bëjmë sepse kemi bërë një zgjedhje të gjithë bashkë si popull në vitin 1990, kur jemi ndarë nga sistemi që i vendoste vetë çmimet dhe kemi zgjedhur një sistem ku çmimet i vendos konkurrenca e lirë. Mirëpo nga ana tjetër pikërisht tek konkurrenca e lirë dhe njëkohësisht tek konkurrenca e ndershme qëndron edhe baza e kësaj nisme të përbashkët me këto subjekte.

Besoj që ky do të jetë një lehtësim për konsumatorët. Besoj që do të na duhet punë dhe këtu do të doja edhe ndihmën e subjekteve për ta promovuar këtë nisëm. Këtu ka super oferta nga të gjitha anët, kështu që disa nga ato tabelat e super ofertave mund t’ia lini pasqyrës së çmimeve për të bërë një çikë reklame edhe për pasqyrën e çmimeve në mënyrë që njerëzit ta dinë, ta kuptojnë, të marrin informacion dhe ndërkohë nuk e di se si mund të bashkëpunojmë që dhe këto ekranet të jenë prezente në, të paktën në pikat kryesore ku njerëzit mund të kërkojnë vetë për të parë se ku është produkti i tyre i dëshiruar me çmimin më të arsyeshëm.

Nuk diskutohet që koha si gjithmonë do të na mësojë më shumë. Eksperienca edhe e këtij programi do ta mësojë më shumë, por kjo pasqyrë e çmimeve është pjesë e konceptit më të gjerë të “Pasqyrë Albania” për të cilën ne po punojmë përditë sepse duam që ta çojmë në një nivel krejt tjetër transparencën në çdo sektor dhe për çdo marrëdhënie mes qytetarëve, shtetit dhe sipërmarrjes në mënyrë që të gjithë të mund të shohin me sytë e tyre në një pasqyrë të besueshme faktet dhe të vërtetat e jetës së përditshme, sepse është mbushur jeta jonë me shumë pasqyra që i kemi secili tek sipërfaqja digjitale e telefonit edhe çfarë nuk na del përpara dhe çfarë nuk shohim e çfarë nuk dëgjojmë, duke u bërë shpeshherë pre’ e shumë manipulimeve, e shumë gënjeshtrave dhe e gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha. Kështu që krijimi i një pasqyre unike ku shteti është i aksesueshëm me një klik dhe ku njihesh me faktet, ku njihesh me të vërtetat që burojnë nga faktet pa fjalë dhe pa retorikë është shumë i domosdoshëm në këtë kohë dhe ‘’Pasqyra e Çmimeve’’ është pikërisht një nga këta komponentë që sapo është gati për t’u ndezur për të gjithë qytetarët ku nuk ka asgjë tjetër përveç fakteve që lidhen me çmimet e produkteve të shportës dhe të ushqimeve që ata blejnë në jetën e tyre të përditshme.

Edhe njëherë shumë respekt për këdo që dha kontributin e vet për këtë nismë dhe uroj dhe shpresoj që jo vetëm kjo që u tha sot, të mbetet kështu siç u tha dhe mos ketë devijime rrugës, por që ndërkohë edhe shumë të tjerë më të vegjël në volume, por po kaq të rëndësishëm për çdo qytetar, përsa kohë kanë një derë të hapur për të ofruar ushqime të shportës t’i bashkohen kësaj nisme”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se “Pasqyra e Çmimeve” do t’u mundësojë qytetarëve të informohen mbi çmimet e produkteve dhe ndryshimet e tyre nga një subjekt tregtar te tjetri.

Ajo theksoi se platforma synon të rrisë transparencën në treg, ndërsa sipas saj, çmimet e produkteve të përfshira në marrëveshje do të pësojnë ulje mesatare prej 20-22% deri më 12 janar, me disa produkte që do të kenë ulje deri në 40%.

“Krijimi i një pasqyre unike ku shtetit është i aksesueshëm me një klik dhe ku njihesh me faktet, me të vërtetat që burojnë nga faktet është shumë i domosdoshëm në këtë kohë. Pasqyra e Çmimeve është një nga këto komponent dhe është gati për t’u ndezur për qytetarët. Do ta shihni vetë në paraqitjen e platformës se si janë çmimet, se si ato ndryshojnë, ku mesatarisht të gjitha çmimet bien nga çmimet që kanë sot deri më 12 janar me 20-22%, ndërkohë që ka produkte që bien edhe me 40% apo produkte që bien me 10%”, tha mes të tjerash ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.