Kelly Osbourne ka folur sërish për ndryshimin e dukshëm në pamjen e saj, duke zbuluar se ka shtuar rreth 13 kilogramë që nga paraqitja e saj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve BRIT Awards, në shkurt të këtij viti.
Në një intervistë për “The Sun”, këngëtarja dhe aktorja 41-vjeçare pranoi se edhe vetë ishte tronditur kur pa fotografitë nga ceremonia, ku u shfaq krah nënës së saj, Sharon Osbourne, për të pranuar çmimin në nder të babait të ndjerë, Ozzy Osbourne.
“Kur i pashë fotografitë, nuk mund ta besoja. U shokova po aq sa të gjithë të tjerët”, rrëfeu ajo, duke iu referuar pamjes së saj dukshëm më të dobët, e cila në atë kohë shkaktoi komente dhe shqetësim në rrjetet sociale.
Kelly shpjegoi se humbja e peshës nuk lidhej me një çrregullim të të ngrënit, por me periudhën e rëndë emocionale që përjetoi pas vdekjes së të atit, në korrik të vitit 2025.
“Thjesht nuk mund të bëja asgjë për veten. Ushqimi më bënte të ndihesha sikur doja të vjellja”, tregoi ajo, duke përshkruar ndikimin që dhimbja pati në jetën e saj të përditshme.
Artistja rrëfeu gjithashtu se kishte kaluar një periudhë kur ndihej e pafuqishme për të përballuar humbjen. Në një moment të vështirë, ajo kishte shkuar te varri i të atit me një qiri të bardhë, duke i kërkuar ndihmë. Sipas Kelly-t, të nesërmen nëna e saj e prezantoi me terapistin dhe trajnerin e jetës Chris Miller, të cilin ajo e vlerëson për mbështetjen që i dha.
Vdekja e Ozzy Osbourne, legjendës së grupit Black Sabbath, ishte një goditje e madhe për familjen. Kelly tha se ky ka qenë një nga vitet më të vështira të jetës së saj, ndërsa tani po përpiqet të rikthejë ekuilibrin dhe të kujdeset më mirë për veten dhe djalin e saj trevjeçar, Sidney.
Lini një Përgjigje