Zyrtare/ Humbja 1-3 në derbin ndaj Tiranës dhe rezultatet e dobëta, largohet trajneri i Partizanit
Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës i akordon Marin Meksit titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”, në vlerësim të kontributit të tij të veçantë në promovimin e sportit, jetesës së shëndetshme dhe angazhimit në shoqërinë civile dhe rininë e “Qytetit të Gurtë”.
Ky vlerësim vjen pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme në sport, diplomaci dhe aktivitete me karakter shoqëror e institucional.
Në vitin 2021, Marin Meksi u shpall Kampion Kombëtar, Mbarëkombëtar dhe Kampion Botëror në Bodybuilding dhe Fitness. Më pas, ai mori një detyrë të lartë në Federatën Botërore IFBB, duke kontribuar në sjelljen në Shqipëri të kompeticioneve ndërkombëtare në disiplinat e Bodybuilding & Fitness, Mundjes së Krahut, Powerlifting dhe Strongestman. Këto aktivitete kanë krijuar mundësi të reja për sportistët shqiptarë të sporteve të forcës dhe kanë ndihmuar në promovimin e këtyre disiplinave në vend.
Për kontributin e tij në sport dhe në shoqërinë civile, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka akorduar z. Meksi titullin “Mjeshtër i Madh i Sportit”. Gjithashtu, Komisioni i Gradave të Nderit pranë Ministrisë së Mbrojtjes i ka akorduar gradën ushtarake të Kolonelit të Forcave të Armatosura.
Gjatë viteve, Marin Meksi është nderuar edhe me vlerësime të tjera, ndër të cilat “Mirënjohja e Kryeqytetit” nga Bashkia Tiranë, titulli “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”, “Urdhri i Skënderbeut të Artë”, si dhe me nderime nga institucione shqiptare dhe qeveri të huaja, përfshirë ato të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Portugalisë, Spanjës, Turqisë dhe Zvicrës.
Një tjetër vlerësim i rëndësishëm është edhe “Urdhri i Trimërisë”, i akorduar nga Arkiduka Habsburg i Austrisë dhe Princi i Hungarisë, i cilësuar si një prej urdhrave më të lartë ushtarakë dhe civilë.

Në fjalën e tij pas marrjes së titullit, z. Meksi u shpreh i emocionuar për këtë nderim në qytetin e të parëve të tij. Familja gjirokastrite Meksi ka një histori të gjatë kontributesh në jetën kombëtare shqiptare, që nga periudha e luftërave për liri të Gjergj Kastriotit, pjesëmarrja si delegatë në Aktin e Pavarësisë, Luftën e Vlorës dhe Luftën Nacionalçlirimtare, ku familja ka pasur edhe dëshmorë të Atdheut.
Anëtarë të familjes Meksi kanë dhënë kontribut edhe si filantropë, patriotë dhe veprimtarë të çështjes Çame dhe të Kosovës, si dhe në krijimin e institucioneve të para të shtetit shqiptar, hartimin e ligjeve dhe zhvillimin e jurisprudencës.
Ndër kontributet e njohura të familjes përmendet edhe sjellja në shqip e Dhiatës së Re nga Vangjel Meksi në vitin 1827, si dhe kontributi i tij në fushën e gjuhësisë, i njohur edhe për “Alfabetin e Meksit”.
Familja Meksi ka lënë gjurmë të rëndësishme në fusha të ndryshme të jetës kombëtare, përfshirë politikën, diplomacinë, shkencën, mjekësinë, folklorin dhe artin, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Top Channel