Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Akuzat e Vangjel Dules për pronat në Himarë, i përgjigjet shefja e Kadastrës: Kam qenë vetë në lagjen Kala, po trajtojmë të gjitha shtëpitë, ato pas '91 dhe më përpara (MESAZHI)

Shkruar nga Newsbomb
Akuzat e Vangjel Dules për pronat në Himarë, i përgjigjet
Ilustrim: Vangjel Dule dhe Lorena Goxhobelli

Lorena Goxhobelli, drejtuese e Kadastrës Shqiptare, i është përgjigjur personalisht akuzave të deputetit Vangjel Dule nga Kuvendi, se pronat e himariotëve në lagjen Kala nuk po regjistrohen qëllimisht që më pas të tjetërsohen, apo më keq, grabiten.

Sipas Goxhobellit, pretendimet nuk pasqyrojnë realitetin, sepse ajo ka qenë vetë, personalisht, në Himarë dhe ka ndjekur nga afër procesin. Ndryshe nga deputeti Vangjel Dule, drejtuesja e Kadastrës thotë se qytetarët e kanë mirëpritur trajtimin e pronave.

"Unë kam qenë në terren për ta ndjekur dhe po e monitoroj këtë proces hap pas hapi. Në rastin më të mirë, zotin Dule e kanë keqinformuar. Nuk dua të besoj se ai u jep qëllimisht zë të pavërtetave dhe insinuatave të tilla, për agjenda që nuk kanë lidhje me interesin e qytetarëve të Himarës.

Dua sot të qartësoj opinionin publik, se Kadastra po shkon pranë qytetarëve për të trajtuar të gjitha banesat, qofshin shtëpi të ndërtuara pa leje pas vitit 1991, apo banesa më të hershme, edhe nëse koha mund t'i ketë dëmtuar.

Procesi mbështetet në deklarimet e qytetarëve, verifikimet në terren dhe procedurat e përcaktuara me ligj. Çdo deklarim i rremë sjell përgjegjësi ligjore. Nuk ka përjashtime, privilegje apo trajtime mbi baza politike", shprehet Lorena Goxhobelli.

Drejtuesja e Kadastrës Shqiptare shprehet se procesi është transparent dhe cilido mund të verifikojë në kohë reale statusin e banesës së tyre dhe të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm, nëse dalin probleme gjatë trajtimit.

"Gjithashtu, po e bëjmë procesin transparent duke u dhënë qytetarëve mundësi të informohen për statusin e banesës së tyre dhe të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm. Pas përfundimit të punës në secilin fshat, të dhënat publikohen në platformën online të Kadastrës dhe aty qytetarët mund të shohin nëse dosja e tyre është në afishim publik, mungon ndonjë dokumentacion apo nëse ekipi nuk ka pasur akses në banesë.

Zoti Dule, Kadastra nuk ka për qëllim t'i marrë pronën askujt. Ka vetëm një detyrë: të ndihmojë qytetarët të zgjidhin problemet e tyre të pronësisë në përputhje me ligjin. Dhe ky është angazhimi ynë. Kjo është detyra jonë në Himarë dhe në çdo bashki të vendit", shprehet ajo.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Drejtuesja Lorena Goxhobelli thotë se e fton deputetin Vangjel Dule që të shkojë në zyrën e saj dhe të ballafaqojnë faktet, nëse ai disponon të tilla. Përsa i përket realitetit në terren, shefja e Kadastrës Shqiptare thotë se ai është krejt ndryshe nga çfarë paraqet deputeti.

Kurse deputeti Vangjel Dule, nga foltorja e Kuvendit u shpreh se shtëpitë pa çati në lagjen Kala të Himarës nuk po regjistrohen, me pretendimin se janë objekt ristrukturimi nga UNESCO. Sipas Dules, e vërteta është se po tentohet rrëmbimi i pronës.

"Në Bashkinë e Himarë, në lagjen Kala, shërbimet shtetërore dhe ato bashkiake, që me regjistrimin e godinave të ndërtuara para viteve 90, nuk regjistrojnë ato ndërtesa që janë në lagjen Kala dhe janë pa çati. Me pretendimin se ato janë objekt ristrukturimi nga UNESCO.

Po çfarë ka lidhje pronësia me faktin nëse UNESCO, do të financojë, apo një institucion tjetër, rikonstruksionin e tyre konform rregullave që kërkon një objekt i shpallur monument. Pronësia është pronësi. Me këto taktika, fshihet rrëmbimi i pronës të zonës më të lakmueshme të Himarës", u shpreh Vangjel Dule në Kuvend.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese