Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka shprehur vlerësime të larta për kryeministrin Edi Rama, duke vënë në pah qëndrimet e tij ndaj Izraelit, konfliktit në Lindjen e Mesme dhe mbështetjen për komunitetin hebre në Shqipëri.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryediplomati izraelit e cilësoi Ramën si një prej udhëheqësve më të spikatur të kohës, duke vlerësuar vendosmërinë, bindjet dhe parimet morale që, sipas tij, karakterizojnë drejtimin e kryeministrit shqiptar.
“Dua të shpreh admirimin tim të jashtëzakonshëm për kryeministrin Rama, që është, në këndvështrimin tim, një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm në botën e sotme. Udhëheqja e tij, bindja dhe busulla e palëkundur morale kanë vlerë përtej Ballkanit, përfshirë edhe rajonin tonë”, deklaroi Sa’ar.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Jashtëm e përshkroi Shqipërinë si një mike të vërtetë të Izraelit, duke rikujtuar gjithashtu kontributin e shqiptarëve në shpëtimin dhe mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit.
Sa’ar theksoi se Izraeli nuk do ta harrojë atë që shqiptarët bënë për komunitetin hebre, ndërsa vlerësoi edhe qëndrimin e Shqipërisë pas sulmeve të 7 tetorit.
“Shqipëria është një mike e vërtetë e Izraelit. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që bëri Shqipëria. Shohim sot të njëjtën qasje morale pas masakrës së 7 tetorit”, u shpreh ai.
Në vijim, kryediplomati izraelit falënderoi kryeministrin Rama për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme.
Ai kujtoi marrëveshjen për bashkëpunimin në sektorin e shëndetësisë, të nënshkruar një vit më parë, ndërsa bëri të ditur se gjatë vizitës në Tiranë synohet zgjerimi i partneritetit përmes një marrëveshjeje më të gjerë.
Sipas Sa’ar, ky bashkëpunim pritet të krijojë mundësi të reja për kompanitë e të dy vendeve dhe të forcojë më tej lidhjet ekonomike e institucionale mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Vizita dhe deklaratat e ministrit të Jashtëm izraelit vijnë në një moment kur zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet mes Izraelit e palestinezëve vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.


