Marina Fara ka reaguar në rrjetet sociale në mbështetje të nënës së saj, këngëtares Eli Fara, pas publikimit të videove intime që kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.
Përmes një postimi në Instagram Story, Marina ka ndarë një fotografi të nënës së saj, të cilën e ka shoqëruar me një mesazh të ngrohtë mbështetjeje dhe dashurie.
“Mbaje kokën lart, mbretëreshë, dhe kurorën drejt. Mbretëresha ime e bukur”, shkruan ajo, duke shprehur publikisht solidaritetin me të ëmën në këtë moment të vështirë.
Pak ditë më parë, edhe vetë Eli Fara reagoi lidhur me publikimin e materialeve intime, duke theksuar se dhimbja më e madhe për të lidhet me cenimin e privatësisë dhe gjykimet me të cilat po përballet, të cilat, sipas saj, prekin edhe familjen.
Këngëtarja u shpreh se nuk është ajo që duhet të ndiejë turp, por personat që kanë publikuar dhe shpërndarë pamjet private pa respektuar privatësinë e saj.
“Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, deklaroi ajo në reagimin e saj.
Artistja vuri në dukje edhe standardet e dyfishta me të cilat, sipas saj, përballen gratë në shoqëri, duke theksuar se ato jo vetëm që bëhen viktima të cenimit të privatësisë, por më pas detyrohen të përballen edhe me paragjykimet e të tjerëve.
Ajo bëri të ditur se çështjen do t’ia lërë në dorë drejtësisë, ndërsa u kërkoi njerëzve të tregojnë më shumë ndjeshmëri dhe të mos shpërndajnë materiale që mund të shkaktojnë vuajtje të mëtejshme për personat e përfshirë dhe familjarët e tyre.
“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, ishte mesazhi i saj.
Në fund të deklaratës, Eli Fara falënderoi familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë, duke theksuar se mbështetja dhe dashuria e tyre i japin forcë për të ecur përpara me dinjitet dhe kokën lart.


