Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i dënuar me 2 vite burgim për fshehje pasurie, ka paraqitur një kërkesë për parashkrimin e dënimit të dhënë ndaj tij. Kërkesa vjen disa vite pas vendimit të gjykatës, i cili nuk është ekzekutuar për shkak se ish-kryeprokurori u largua jashtë Shqipërisë.
Llalla u shpall fajtor në vitin 2021 për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, ndërsa u dënua me dy vite burg. Megjithatë, ai nuk e ka vuajtur dënimin, pasi ndodhet jashtë vendit dhe vijon të jetë në kërkim. Për shkak të moszbatimit të vendimit, çështja e ekzekutimit të dënimit mbetet ende e hapur. Përmes kërkesës së paraqitur së fundmi, Llalla kërkon që të njihet parashkrimi i dënimit, çka do të ndikonte drejtpërdrejt në mundësinë e ekzekutimit të tij.
Tashmë pritet shqyrtimi i kërkesës nga organet kompetente, të cilat do të vlerësojnë nëse plotësohen kushtet ligjore për parashkrimin e dënimit.
