Shkoi në spital për një kyç të thyer të këmbës, 21-vjeçarja humb jetën pas mbidozës së qetësuesve, familja ngre padi
Presidenti amerikan Donald Trump mbron marrëveshjen për furnizimin me naftë dizel nga Rusia, ndërsa vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra në Ukrainë dhe Evropë. Brukseli paralajmëron se sanksionet ndaj Moskës do të vazhdojnë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po mbron marrëveshjen për furnizimin me naftë dizel nga Rusia, pavarësisht kundërshtimeve të Ukrainës dhe aleatëve evropianë. Në një reagim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump ka drejtuar kritika ndaj Bashkimit Evropian, duke pretenduar se blloku ka paguar 250 miliardë dollarë Rusisë për energji.
“Bashkimi Evropian i ka paguar Rusisë 250 miliardë dollarë për energji dhe mediat e lajmeve të rreme nuk duan as t’i afrohen kësaj historie”, shkroi Trump, duke mbrojtur vendimin e tij dhe duke theksuar se, sipas tij, ka vepruar në interes të qytetarëve amerikanë.
Trump njoftoi të premten se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte rënë dakord për furnizimin e menjëhershëm me 300 mijë tonë naftë dizel për tregun amerikan dhe atë ndërkombëtar.
Sipas planit të bërë publik nga presidenti amerikan, 500 mijë tonë të tjerë pritet të dërgohen në nëntor, ndërsa më pas parashikohet furnizimi me edhe një milion tonë. Trump e ka justifikuar marrëveshjen me nevojën për të ulur çmimet e karburanteve në SHBA, të cilat janë rritur në një kohë tensionesh të forta në tregjet globale të energjisë.
Megjithatë, marrëveshja ka ngritur pikëpyetje për ndikimin e saj në politikën perëndimore të sanksioneve ndaj Moskës, e cila vazhdon luftën kundër Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen, duke paralajmëruar se të ardhurat shtesë nga energjia mund të ndihmojnë Rusinë të financojë luftën.
Kievi druhet se lehtësimi i kufizimeve për eksportet ruse të karburanteve do t’i japë Moskës burime të reja financiare, në një kohë kur Ukraina kërkon që partnerët perëndimorë të rrisin presionin ekonomik dhe ushtarak ndaj Kremlinit.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë riafirmuar se sanksionet kundër Rusisë do të mbeten në fuqi, pavarësisht marrëveshjes së njoftuar nga Trump dhe Putin.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka theksuar se për t’i dhënë fund luftës duhet të ushtrohet më shumë presion ndaj Moskës. Edhe përfaqësues të tjerë evropianë e kanë kritikuar marrëveshjen, duke vënë në dyshim nëse ajo do të ndihmojë realisht në uljen e çmimeve të energjisë apo do të dëmtojë unitetin transatlantik.
Përplasja rreth naftës dizel po hap një tjetër front tensioni mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë, ndërsa lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike vazhdojnë të ndikojnë në tregjet ndërkombëtare.
Top Channel