Rusia ende nuk e ka konfirmuar një armëpushim ndaj sulmeve kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë, të njoftuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të hënën se bisedimet me Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë dhe se Moska do të japë një përditësim nëse ato japin ndonjë rezultat.
Trump njoftoi ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të dielën, duke habitur Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili megjithatë shprehu gatishmërinë e tij për të rënë dakord me propozimin.
Moska ka hedhur poshtë vazhdimisht thirrjet për armëpushim të përkohshëm, duke këmbëngulur se luftimet do të ndalen kur të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme.
Peskov vlerësoi përpjekjet e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës. “Ne jemi mirënjohës për vazhdimin e këtyre përpjekjeve”, tha ai.
Megjithatë, ai akuzoi qeveritë evropiane se nuk po bënin asgjë për të promovuar paqen.
“Evropianët kanë tendencë të jenë në anën e luftës, duke bërë gjithçka që është e mundur për të siguruar që kjo luftë të mos mbarojë”, tha Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit hodhi poshtë gjithashtu propozimin e ripërtërirë të Zelensky-t për një armëpushim 60-ditor, për t’i lejuar Ukrainës të mbajë zgjedhje.
“Ne nuk duam armëpushim, por një paqe të qëndrueshme dhe jemi të përgatitur të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta arritur këtë”, tha Peskov.
Ai pretendoi se Zelensky po kërkonte pauzën jo për të organizuar zgjedhje, por për t’u dhënë forcave ukrainase kohë për t’u riorganizuar.
Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./ DPA News.













