Vullnet Sinaj i është përgjigjur Sali Berishës, pasi ky i fundit në natën e votimit të reformës territoriale u shpreh në Kuvend se deputeti i PS po zgjidhte interesin e biznesit të tij Big Market, para qytetarëve të Selenicës.
Përmes një prononcimi për Neës24, Sinaj shpjegon pse i tha “Po” iniciativës së PS, paçka se publikisht ishte shprehur kundër Gjithashtu në fund dha edhe një mesazh për kryedemokratin Berisha, duke treguar se nuk ka asnjë frikë për bizneset në pronësi.
"Dua të sqaroj se në grupin parlamentar të PS u bën dy votime. E para kush është pro reformës dhe kush kundër, unë votova kundër bashkë me kolegun BRaçe. Pas këtij u bë një votim i dytë, u hodh në votim që ndarjen territoriale do e votojmë pro me vendim politik të grupit të PS.
Iu binda vendimit të grupit parlamentar të PS. Siç mund ti bindet një vendimi të tillë edhe një deputet i opozitës. Kur mazhoranca kanë një mendim kundër me mendimin tuaj duhet ti bindesh vendimit të shumicës.
Iu binda jo vetëm si disiplinë por edhe në mendimet e mia. Qëndrimi im kundër ishte një pikëpamje por asnjëherë një njeri nuk e vërteton, duhet kohë. Grupi parlamentar dhe komisioni i posaçëm kishin mendimin e tyre.
Bashkimi do ishte në të mirë të qytetarëve rritjes së fuqizimit ekonomik të bashkive. Unë u bashkova me grupin parlamentar PS. Nuk ka patur në mënyrë absolute presion as ultimatum. Nuk më bëhet presion as personalisht dhe as ndonjë fushë.
Kam dëgjuar në studio se e kam lidhur punën me biznesin. Nuk kam asnjë frikë sepse biznesi im është nga më të rregulltit në këtë vend. Nuk kisha pse të kisha frikë dhe nuk kam patur asnjë presion.
Kam patur vetëm një bisedë konstruktive për të mirat e reformës me kryeministrin, drejtuesin e qarkut dhe kreun e grupit parlamentar. Ishte një bisedë mes nesh. Në fund të kësaj bisede ishim të një mendimi që duhej votuar reforma territoriale sepse benefitet do jenë më mira se ato në kushtet e sotme.
Sepse reforma e parshme kishte sjellë rezultatet e saj. Nëse nuk do kisha qenë deputet i PS apo i pavarur edhe mund ta kisha votuar kundër asaj reforme", tha deputeti i PS, Vullnet Sinaj.
