20 sipërmarrje shqiptare në MICHELIN Guide, Rama: Gastronomia shqiptare në vëmendjen e botës
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se 20 sipërmarrje shqiptare janë përzgjedhur në MICHELIN Guide, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për promovimin e gastronomisë shqiptare dhe traditave kulinare të vendit.
Përmes një postimi, Rama thekson se sipërmarrjet janë përzgjedhur nga i gjithë vendi për autenticitetin, identitetin dhe vlerat e kuzhinës që përfaqësojnë. Sipas tij, kjo përzgjedhje kontribuon në promovimin e pasurisë gastronomike të Shqipërisë, duke sjellë në vëmendje traditat, shijet dhe produktet që karakterizojnë kuzhinën shqiptare.
”Tani në MICHELIN Guide gjenden 20 sipërmarrje shqiptare, të përzgjedhura nga i gjithë vendi për autenticitetin, identitetin dhe vlerat e kuzhinës. Një tjetër hap i rëndësishëm për promovimin e gastronomisë shqiptare, traditave tona kulinare dhe pasurisë së shijeve që na përfaqësojnë. Shqipëria në vëmendjen e botës, përmes shijeve të saj”,-shkruan Rama.
Përfshirja e sipërmarrjeve shqiptare në këtë guidë ndërkombëtare përbën një mundësi për rritjen e dukshmërisë së gastronomisë vendase dhe për promovimin e identitetit kulinar shqiptar në arenën ndërkombëtare.

